Në burgun e Dubravës dy persona të sëmurë me zhugë

Në burgun e Dubravës, dy të burgosur janë sëmurë me zhugë (zgjebë).

Lajmin për KALLXO.com, e ka konfirmuar Drejtori i Departamentit shëndetësor të burgjeve, Milazim Gjocaj.

Sipas Gjocajt, rasti është lokalizuar dhe tashmë janë marrë masat.

“Është e lokalizuar me një dhomë, masnej e kemi marrë masat që në dhomat rreth e rreth, me u trajtu, me i qitë jashtë me dyshek e krejtë. Në burg ku janë 1500 vetë edhe ku pranohen në ditë kushedi se sa, ndodhë që vjen ndonjë që e ka, por detektohet. Sipas informatave, ka një rast ose dy, edhe janë marrë masat për atë çështje”, ka thënë Gjocaj në përgjigjen e tij përmes telefonit.

Sipas tij, burgu i Dubravës është i dezinfektuar, sidomos gjatë kësaj kohe të pandemisë, por sipas tij zgjeba nuk mund të pengohet me dezinfektim.

“Zgjeba nuk pengohet me dezinfektim por me higjenë personale. Nëse dikush vjen që e ka prej jashtit, atëherë domethënë mundet me ndodhë që shokët e dhomës me infektu, deri sa të detektohet, edhe masnej intervenohet. Por për këtë rast nuk ka diçka qe duhet me u shqetësu”, ka thënë Gjocaj për KALLLXO.com.