Në 33-vjetorin e LDK-së, Abdixhiku: Po ndjekim rrugën e Ibrahim Rugovës

Në 33-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku bashkë me kolegë kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, njëherësh themeluesi i LDK-së.

Abdixhiku në një prononcim para mediave tha se Rugova ka qenë prirës i shqiptarëve në periudhën më të vështirë për popullin.

Ai tha se për t’i dhënë fund endërres së nisur 33 vite më parë, Kosova duhet të bëhet shtet anëtar i NATO-së dhe BE-së.

“Po shënojmë 23 dhjetorin e vitit 1989 kur burrat e gratë më të mirë të vendit, në kohën më të vështirë të vendit, u rreshtuan prapa Rugovës dhe ndërtuan kështu programin më të madh politik shqiptar të fundshekullit të 20-të, lëvizjen për liri, për pavarësi e për demokraci. Rruga e presidentit Rugova, e LDK-së, vazhdon të mbetet e njëjtë, ku projekti i nisur 33 vite më parë ende nuk është i përfunduar meqenëse Kosova duhet të bëhet shtet anëtar i NATO-së dhe BE-së dhe kështu t’i jap përfundim një ëndrre të nisur 33 vite më parë” – ka deklaruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.