Ndryshe nga Skenderaj, Sami Lushtaku gjobitet nga Komuna e Prishtinës për shkelje të masave anti COVID-19

Partia Demokratike e Kosovës është gjobitur me 2 mijë euro nga Inspektorati komunal i Prishtinës për tubimin që e ka mbajtur Sami Lushtaku në lagjen Kodra e Trimave në kryeqytet, në kundërshtim me masat kundër COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Inspektoratit, Adonis Tahiri.

“Askush mbi ligjin!Gjobë për tubim në lagjen Kodra e Trimave”, ka shkruar ai duke bashkangjitur edhe pamje nga tubimi i Lushtakut.

KALLXO.com raportoi dje se Komuna e Skenderajt nuk e ka gjobitur PDK-në për mbajtjen e tubimeve në kundërshtim me masat e institucioneve kundër përhapjes së COVID-19 anipse Sami Lushtaku është parë publikisht në këtë komunë duke mbledhur qindra njerëz në tubime të parafushatës.

Sipas masave të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 15 janar ndalohet grumbullimi i më shumë se 30 personave brenda një hapësire të mbyllur.

“Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim rasteve të lejuara me këtë vendim”, thuhet në pikën 24 të vendimit të Qeverisë.

Në anën tjetër, Policia vazhdon të gjobisë qytetarët për mosmbajtje të maskës apo për shkelje të tjera të parapara me Ligjin COVID-19.