Ilustrim

Ndërtimet pa leje në Prizren, Supremja kthen në rigjykim rastin e inspektorit të dënuar me 18 muaj burg

Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rigjykim rastin e inspektorit të ndërtimit, Nexhmedin Musliu, i dënuar me 18 muaj burg.

Inspektori Musliu për akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga gjykata e shkallës së parë u shpall fajtor dhe u dënua me 10 muaj burg, ndërkaq shkalla e dytë ia ka ashpërsuar dënimin me 18 muaj burg.

Por, pas ankesës së Valbonë Morina, mbrojtëse e të akuzuarit, Supremja ka rrëzuar këto dy vendime.

“Aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale meqë shkalla e parë nuk ka paraqitur arsyetim në të cilin është bazuar me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës dhe përgjegjësisë penale të dënuarit” – thuhet në vendimin e Supremes.

Instanca e tretë më tej ka konstatuar se Gjykata e Prizrenit nuk ka dhënë arsyetim për veprimet e të dënuarit lidhur me rrënimin e objekteve të cilat ishin ndërtuar duke tejkaluar lejet e ndërtimit.

“Ka disharmoni mes përshkrimit të dispozitivit dhe arsyetimit dhe është në kundërshtim me shkresat e lëndës se i dënuari në cilësi të inspektorit të ndërtimit ka nxjerr konkluzion për lejimin ekzekutimit të objektit, por nuk ka bërë rrënimin e dy objekteve banesore që janë objekt i kësaj çështje” – sqarohet në vendim.

Supremja ka arsyetuar se në veprimet inkriminuese të dënuarit nuk janë dhënë arsyet.

“Sipas pikëpamjes së Gjykatës Supreme të Kosovës në rastin konkret nuk janë kontestuese faktet se i dënuari kishte ushtruar detyrën e inspektorit të ndërtimit, mirëpo në aktgjykimet e kundërshtuara nuk janë dhënë arsye përkitazi me veprimet inkriminuese të të dënuarit, dhe për më tepër, detyrat dhe kompetencat e tij nuk janë përshkruar sipas dispozitave ligjore apo akteve nënligjore që rregullojnë këtë fushë” – citohet në arsyetimin e Supremes.

Sipas akuzës së Prokurorisë të ngritur 2019, Nexhmedin Musliu, akuzohet se në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhej se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8 të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerce”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje, në lagjen “Jeta e Re”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate P+B+2.

Me anë të këtyre veprimeve, Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Nexhmedin Musliu kishte kryer veprën penale të keqpërdorimit zyrtar.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.