Ish inspektori i ndërtimit dënohet me burgim efektiv, u gjet fajtorë për lejimin e ndërtimeve pa leje në Prizren

Ish inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit Nexhmedin Musliu është shpallur sot fajtor nga Gjykata për keqpërdorim të detyrës.

Musliut, për këtë vepër iu shqiptua dënimi me burgim efektiv prej 10 muajve. Pos dënimit me burgim, Gjykata të akuzuarit i shqiptoi edhe dënimin plotësues – ndalimi i ushtrimit të profesionit për 2 vite.

Ndërkaq, të dëmtuarës, Komunës së Prizrenit i akuzuari obligohet t’ia kompenzojë dëmin në shumën prej 21,551.58 euro.

Sipas akuzës së Prokurorisë të ngritur 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu, akuzohej se në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhej se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8 të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje, në lagjen “Jeta e Re”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate P+B+2.

Me anë të këtyre veprimeve, Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Nexhmedin Musliu kishte kryer veprën penale të keqpërdorimit zyrtar.

Kyetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani e arsyetoi vendimin e marrë, se në cilat fakte është bazuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale, me të cilën ngarkohej nga Prokuroria.

Ky veprim i gjykatësit Osmani, është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, saktësisht paraqet shkelje të rëndë, të nenit 366 par.2 të KPRK-së, i cili ka të bëjë me shpalljen e vendimeve dhe arsyetimin e tyre në pika të shkurtra.

Ndryshe në vitin 2020, Gjykata në Prizren të akuzuarin Musliu, e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv. Mirëpo, me pajtimin e të akuzuarit, dënimi me burgim i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 3,500 euro.

Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga mbrojtja e të akuzuarit, Apeli në janar të vitit 2021 kishte vendosur që këtë lëndë ta kthej në rigjykim në shkallën e parë.

Gjykata e Apelit, kishte vlerësuar se aktgjykimi i atakuar me ankesë përmbante disa shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike.

Ndër shkeljet që kishte konstatur Apeli ishte edhe fakti se dispozitivi i aktgjykimit ishte në kundërshtim me arsyetimin për shkak se në dispozitiv në rreshtin e tretë thuhet “…me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin … ”, kurse në lidhje me këtë në fund të dispozitivit nuk ishte përcaktuar vlera e dobisë pasurore apo dëmi i shkaktuar palës së dëmtuar dhe ajo çka është më e rëndësishmja, nuk ishte përcaktuar as kush është palë e dëmtuar.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë vetëm i kishte listuar provat personale, ndërsa ato materiale nuk i kishte listuar e as arsyetuar, por për të njëjtat vetëm i kishte përmendur, ndërsa e ka përshkruar rrjedhën e ngjarjes që buron nga dispozitivi i aktgjykimit, por sipas Apelit, pa një arsyetim të secilës provë veç e veç dhe të gjitha provave si tërësi për të ardhur deri te një gjendje faktike e plotë.

Në vendimin e Apelit, po ashtu, thuhej se mbrojtja kishte pretenduar se i akuzuari kishte ndërmarrë disa veprime siç janë përpilimi i procesverbalit mbi inspektimin, aktvendimet për rrënim vullnetar, gjobat mandatore, kallëzimet penale, konkluzionet për rrënim të dhunshëm, vënia e shiritave si dhe aktvendim për kundërvajtje, mirëpo këto pretendime, Apeli theksonte se gjykata nuk i ka arsyetuar se a qëndrojnë dhe nëse po, cilat kanë qenë detyrimet shtesë të akuzuarit për të ardhur deri te rrënimi i pjesëve të ndërtuara pa leje.

Gjykata e Apelit kishte gjetur se përshkrimi faktik nuk ishte bërë si duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi ishte i pamjaftueshëm, andaj rasti ishte kthyer në pikën zero.