Ndërlidhja e lagjes "Kalabria" me atë "Dardania", Komuna e Prishtinës shpall tender për studimin e fizibilitetit

Komuna e Prishtinës ka hapur tender për studimin e fizibilitetit për projektin e ndërlidhjes së lagjes “Kalabria” me lagjen “Dardania”.

Për këtë studim komuna ka planifikuar 250 mijë euro.

Objektivat e projektit janë krijimi i lidhjeve me rrugët lidhëse për automjete, për këmbësorë dhe çiklistë, ndërmjet ‘Dardanisë’ dhe ‘Kalabrisë’ dhe gjithashtu futja e objekteve të reja të parkut, si dhe shtimi i sipërfaqeve të gjelbra.

Rezultat i projektit, është ndërtimi i  nënkalimit (tunelit) që do të lidhë lagjen ‘Kalabria’ me lagjen ‘Dardania’ si dhe ndërtimin e parkut të ri urban në lagjen ‘Kalabria’.

Rruga ekzistuese (M2) “Jusuf Gërvalla”, sipas të dhënave në dosjen e tenderit, krijon probleme të ndotjes së ajrit dhe zhurmës dhe vepron si barrierë midis lagjeve, gjë që inkurajon përdorimin e makinave për udhëtime të shkurtra në qytet.

Për të arritur objektivat, qëllimin dhe rezultatin e projektit për ndërlidhjen e lagjes “Kalabria” me lagjen “Dardania ”, Komuna e Prishtinës planifikon të angazhojë kompani që në këtë fazë të projektit do të bëjë studimin e realizueshmërisë së projektit apo Studimin e Fizibilitetit të projektit.

Projekti i ndërlidhjes së lagjes “Kalabria” me lagjen “Dardania”, sipas dosjes së tenderit, do të mundësojë shkarkimin e rrugës kryesore Shkup – Mitrovicë dhe do të lidhë lagjet ‘Kalabria’ me lagjen ‘Dardania’, duke mundësuar qarkullim shumë të shpejt dhe të lehtë.

Kjo kontratë është duke u zhvilluar përmes procedurës së hapur, derisa kriter për dhënie të tenderit është çmimi më i ulët.

Lidhja e lagjes ‘Kalabria’ me lagjen ‘Dardania’ ka qenë një nga premtimet zgjedhore të kryetarit Përparim Rama.

Lidhur me projektet për lidhje të lagjeve, Rama pati deklaruar se do i realizojë përmes partneriteteve publiko private (PPP), apo kredi nga Banka Botërore dhe Evropiane.

Komuna e Prishtinës për vitin 2023 pritet të ketë buxhet rreth 105 milionë euro, derisa 40 milionë do jenë të alokuara për projekte të investimeve kapitale.

Më poshtë gjeni një ilustrim të lidhjes së këtyre lagjeve nga fushata e kryetarit Përparim Rama.