Ndalohet lëvizja mbi urën e fshatit Rogovë

Ura e fshatit Rogovë është e pakalueshme për qytetarët dhe është e mbyllur për qarkullim.

Komuna e Gjakovës ka njoftuar se kjo urë është e dëmtuar në masë të madhe dhe ekziston rreziku i shembjes.

“Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme është dëmtuar në masë të madhe ura në fshatin Rogovë (rr. Shefki Thaqi).  Pas inspektimit të kësaj ure kemi konstatuar se kjo urë është e rrezikuar që të shembet si pasojë e dëmtimit të saj. Prandaj duke filluar nga sot (12.01.2021) ora 11:00 është marrë vendim që të ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve në këtë urë. Lusim qytetarët që për sigurinë e përgjithshme ta respektojnë këtë vendim”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna nuk ka treguar rrugë alternative të cilat mund t’i shfrytëzojnë qytetarët për të kaluar në këtë fshat.

Dy rrugët alternative nga ku mund të shkohet në këtë fshat kanë mbetuar ajo përmes fshtatit Gjonaj të komunës së Prizrenit dhe rruga tjetër nga fshati Fshej i komunës së Gjakovës.