FOTO: MKRS.

Ndahen çmimet vjetore për arte pamore, Alije Vokshit i ndaht çmimi “Muslim Mulliqi” post-mortem

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë të premten, më 31.05.2024, çmimet për veprimtari jetësore dhe për të arriturat në fushën e artit pamor për vitin 2023.

Çmimi kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” post-mortem iu nda piktores Alije Vokshi, kurse çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor iu nda piktorit Esat Valla.

MKRS ka bërë të ditur se çmimin post-mortem dhe mirënjohjen për piktoren Alije Vokshi e pranoi vajza e saj, Visare Selimaj, ndërkaq piktori Valla ishte i pranishëm në këtë ceremoni. Çmimet u dorëzuan nga ministri i MKRS, Hajrulla Çeku.

“Alije Vokshi është gruaja e parë e diplomuar në pikturë, duke u bërë një ndër pionierët e artit pamor në Kosovë, ndërkaq Esat Valla është i njohur për pikturat e tij surreale”- ka thënë MKRS-ja.

Komisioni vlerësues ishte në përbërje të Valbona Zherkës, Lirije Buliqit dhe Alisa Gojani-Berishës.

Çmimet për veprimtari jetësore dhe për të arriturat në fushën e artit pamor u jepen personaliteteve të shquara për arritjet profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e tyre në avancimin e artit.