
Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny - Foto: REL / rrjetet sociale
Navalny niset drejt Rusisë
Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny është nisur nga Gjermania drejt Rusisë, ku ai mund të përballet me arrestim.
“Unë, të arrestohem? Unë jam i pafajshëm”, tha Navalny për gazetarët para se të hipte në avionin e Pobeda, që është në pronësi të kompanisë shtetërore, Aeroflot.
Navalny është njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.
Pasi u ulë në ulësen e tij në aeroplan, Navalny tha se është i lumtur që po kthehet në shtëpi.
“Ky është momenti më i mirë në këto pesë muajt e fundit. Ndihem mirë, më në fund po kthehem në qytetin tim”.
I pyetur nëse mendon se autoritetet ruse do ta arrestojnë, ai tha se është i pafajshëm.
“Pse të frikësohem? Çfarë e keqe mund të më ndodh mua në Rusi. Besoj se ndihem si çdo qytetarë i Rusisë që ka të drejtë të kthehet në shtëpi”, tha ai.
Navalny qëndroi gjashtë muaj në Gjermani ku mori trajtim mjekësor pasi u helmua. Ai ka fajësuar autoritetet ruse për helmimin.
Në gusht, ai u sëmurë teksa po udhëtonte nga qyteti Tomsk për në Moskë. Navalny thuhet se është helmuar me agjentin nervor, Noviçok.
Navalny në këtë fluturim është shoqëruar nga gruaja e tij Yulia dhe nga zëdhënësja e tij.
Më 13 janar, ai njoftoi se do të kthehej në Rusi, pavarësisht paralajmërimeve nga Shërbimi Korrektues Federal se do ta arrestojnë atë.