Mbi 67.000 rusë kërkojnë zyrtarisht që trupi i Navalnyt t’i kthehet familjes

Më shumë se 67.000 qytetarë rusë i kanë dërguar letra Komisionit Hetues të Rusisë, duke i kërkuar që trupi i Alexei Navalnyt t’i kthehet familjes, raportoi të martën mediumi Meduza.

Zemërimi ndaj autoritetet ruse është duke u rritur, për shkak të mospranimit të tyre për ta liruar trupin e kritikut të zëshëm të Kremlinit, i cili vdiq në një burg rus të premten, sipas autoriteteve ruse.

Grupi për të drejtat e njeriut, OVD-Info, e ndërmori këtë nismë në një kohë kur Bashkimi Evropian bëri thirrje për një hetim të brendshëm të pavarur për vdekjen e Navalnyt në një burg të largët në Arktik.

E veja e kritikut të Kremlinit, Yulia Navalnaya, e ka fajësuar publikisht presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për vdekjen e burrit të saj, si dhe është zotuar se do ta vazhdojë luftën e tij kundër Kremlinit dhe se do t’i ndëshkojë përgjegjësit e vdekjes së tij.

Nisma e OVD-Infos po e përdor shërbimin Dyatel (Qukapiku), i cili ua mundëson qytetarëve të dërgojnë kërkesa zyrtare online.

Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në rrjetin social X të hënën se zyrtarët rusë i kanë thënë familjes se do t’iu duhet dy javë për ta analizuar trupin e tij.

“Hetuesit i thanë avokatëve dhe nënës së Alexeit se ata nuk do t’ua japim trupin atyre. Trupi do t’i nënshtrohet njëfarë ‘analize kimike’ për 14 ditë”, shkroi ajo.

“Ata genjëjnë, i blejnë kohë vetes dhe as që e fshehin këtë bile”, shtoi ajo.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel kanë bërë thirrje për sanksione shtesë kundër Moskës, për ta mbajtur përgjegjëse për vdekjen e Navalnyt.

“Rusia duhet patjetër të lejojë hetim të brendshëm të pavarur dhe transparent ndaj rrethanave të vdekjes së tij të papritur”, thanë ministrat në një komunikatë.

“BE-ja nuk i kursen përpjekjet për t’i mbajtur përgjegjës autoritetet dhe lidershipin politik të Rusisë, në bashkërendim të ngushtë me partnerët tanë, si dhe të vendosë sanksione shtesë për shkak të veprimeve të tyre”, thanë ata.

Navalnaya, e cila është bërë kritike e Kremlinit në vitet e fundit, u zotua se “do ta vazhdojmë luftën tonë për vendin tonë”, teksa udhëtoi drejt Brukselit për të kërkuar mbështetje nga blloku me 27 vende anëtare.

“Tri ditë më parë, Vladimir Putin, e vrau burrin tim, Alexei Navalny”, tha Yulia Navalnaya në një video të shkurtër në X.

Kremlini – i cili për shumë vite e ka shmangur përmendjen e Navalnyt përmes emrit – e theu heshtjen zyrtare më 19 shkurt duke thënë se një hetim është duke u kryer dhe se do të bëhet sipas ligjit rus.

Gazeta me bazë në Letoni, Novaya Gazeta Europe tha më 18 shkurt se policia e siguroi një morg në qytetin e Arktikut, Salekhard, pas thashethemeve për vendndodhjen e trupit të 47-vjeçarit dhe nëse ai tregonte shenja abuzimi.

Navalny është më i fundit në një listë të madhe të kundërshtarëve të Putinit që përfundon i vdekur nën rrethana të dyshimta jashtë vendit apo në atdhe, ku Kremlini i ka shtypur pamëshirshëm kundërshtarët dhe lirinë e shprehjes prej se e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022.

Policia ruse i ka rrethuar zonat memoriale, ku njerëzit vendosnin lule dhe qirinj për nder të Navalnyt, prej 16 shkurtit, kur u njoftua vdekja e tij. Janë arrestuar po ashtu mbi 430 njerëz në dhjetëra qytete ruse. /REL/