Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Naser Ramadani thotë se nuk ka rezultuar që uji në Deçan është i helmuar

Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani në një konferencë për media ka thënë se sipas rezultateve laboratorike për momentin nuk ka helmim të ujit në Deçan.

“Rezultatet laboratorike të cilat kanë dal sot, flasin për momentin se nuk kemi asnjë pistë të helmimit hidrik. Pra, kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi që të kemi infeksione hidrike” ka thënë Ramadani.

Ai shtoi se që nga e diela e deri më sot kanë qenë në kontakt në mënyrë të vazhduar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Selmon Berisha, për t’i marrë të gjitha masat.

“Në kohë reale, brenda një periudhe më të shpejtë të mundshme që mund të ndodhë diku, ekipet e IKSHPK-së kanë ardhur në vend të ngjarjes, në QKMF dhe menjëherë në gjashtë fshatrat ku ka pasur pacient me simptomatologji aktuale, kanë marrë mostrat e ujit për analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike dhe të gjitha analizat kanë shkuar në laborator” ka thënë Ramadani.

Sipas tij, hulumtimi i rasteve ka filluar të dielën në të gjitha fshatrat e Komunës së Deçanit për të parë të gjitha pistat e mundshme të helmimit, jo vetëm ato hidrike.

Ramadani shtoi se njoftimi për çdo analizë që do të dal nga laboratori kombëtar do të jetë me kohë.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj i cili sot shpalli gjendje alarmante, ka thënë se çdo supozim i qytetarëve lidhur më helmimin do të jetë pjesë e hetimit dhe e analizës shkencore.

Përderisa , Drejtori i QKMF-së së Deçanit, Selmon Berisha tha se 99% e qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë, kanë marrë shërbimet adekuate në këtë qendër mjekësore.

“Gjendja e pacientëve nuk paraqet ndonjë shqetësim të madh, përpos fluksit të madh” ka thënë Berisha.

Sipas Berishës, që nga dita kur filloi ky problem numri i pacientëve ka arritur deri në 1500.

Ditën e diel Kallxo.com raporti se 164 qytetarë të komunës së Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare pasi që dyshohet se janë helmuar nga uji i Ujësjellësit “Hidrodrini”.

Pas helmimit të qindra qytetarëve, shpallet gjendje emergjente në Deçan

www.kallxo.com