Pas helmimit të qindra qytetarëve, shpallet gjendje emergjente në Deçan

Komuna e Deçanit ka shpallur gjendje emergjente për shkak të situatës së helmimit të qytetarëve.

Me anë të vendimit, kryetari i komunës, Bashkim Ramosaj, ka kërkuar ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të përfshira në këtë rast.

Po ashtu, kryetari ka njoftuar se janë ndarë edhe 5 mijë euro për qytetarët që po përballen me helmimin dhe nevojën për blerjen e medikamenteve.

“Me propozimin tim, sot kemi mbajtur takim emergjent me anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, të cilët unanimisht votuan për  ndarjen e shumës në vlerë prej 5000€, të cilat do të dedikohen për nevojat e terapisë së qytetarëve të cilët po përballen me epideminë e shfaqur ditëve të fundit në komunën e Deçanit!”, ka shkruar Ramosaj.

Në anën tjetër, dy persona kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit në Deçan.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Nikçi ka njoftuar se dy viktimat me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion për shkak të dyshimeve se kanë qenë të helmuar.

Dy vdekje të dyshimta në Deçan, Prokuroria ende nuk e di nëse ishin të helmuar