Nagavci: Sistemi i arsimit ende ka probleme serioze

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në konferencën ndërkombëtare të Kosovës për hulumtim arsimor, ka theksuar se janë bërë avancime në përmirësimin e sistemit të arsimit në Kosovë, por sipas saj, ende ka probleme serioze.

“E theksova se janë bërë disa avancime në konsolidimin e sistemit të arsimit në Kosovë por që akoma kemi probleme serioze dhe duhet të punojmë shumë për t’i arritur standardet ndërkombëtare të cilësisë”, tha Nagavci.

Sipas saj, për këtë nevojitet një bazë solide e evidencës mbi të cilën mund të mbështetet politikëbërja dhe vendimmarrja.

“Pas shfaqjes së pandemisë u pa se mësimi në distancë ka shumë sfida megjithatë, mësimdhënësit e kanë bërë maksimumin e tyre për ta kryer detyrën”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavaci ka shtuar se hulumtimi në arsim, i cili i shërben përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies, të nxënit në shkolla dhe përmirësimit të shkollës në përgjithësi është domosdoshmëri.

“Andaj me kënaqësi mora pjesë sot në Konferencën ndërkombëtare të Kosovës për hulumtim arsimor-KICER që zhvillohet në kuadër të një projekti ndërkombëtar të financuar nga Programi Erasmus Plus, me mbështetje të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka shtuar se në këtë konferencë po marrin pjesë hulumtues nga vende të ndryshme të botës dhe është organizuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës dhe do të jetë e përqendruar në këto fusha: zhvillimin e politikave arsimore drejt cilësisë në arsim, mësimin në distancë në arsimin parauniversitar, edukimin për qytetari demokratike si dhe përfshirjen dhe diversitetin.