Xheneta Murtezaj, BIRN Kosova Foto: Naser Fejza, Kallxo.com

Xheneta Murtezaj, BIRN Kosova Foto: Naser Fejza, Kallxo.com

Murtezaj: Nga 44, vetëm 15 media në Kosovë kanë treguar se kush qëndron prapa tyre

Xheneta Murtezaj, redaktore dhe hulumtuese e lartë në KALLXO.com ka prezantuar hulumtimin disa mujor të pronësisë së medias, deri tek lansimi i ueb-faqes së Monitorimit të Pronësisë së Mediave në Kosovë, MOM-it.

Murtezaj shpjegoi se mediat që janë përfshirë në hulumtim përfshirë televizione, radio dhe media online janë përzgjedhur bazuar në disa kritere në kuadër të mostrës së projektit të Monitoruesit të Pronësisë së Medias.

Në përzgjedhjen e mediave, Murtezaj thotë se nga 44 media të përfshira – 12 janë televizione, 15 radio dhe 17 media online.

“Metodologjia për përzgjedhjen e mediave është bazuar në një qasje gjithëpërfshirëse. Pra, përzgjedhja e mediave është bë duke u nisur nga arritja e audiencës e cila përfshinë aftësinë e një mediumi për t’iu qasur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Tjetër është – shumëllojshmëria e përmbajtjes, pra mediat që kanë mbulim ma të madh në zhanre të ndryshme, duke përfshirë lajmet, çështjet aktuale, pra që sigurojnë një gjithë përfshirje të skemës mediale në Kosovë”- tregoi ajo.

Murtezaj thotë se në mënyrë që të garantohet dhe verifikohet vlerësimi objektiv, MOM ka punuar me një grup të eksperteve i cili komentoi dhe u konsultua gjatë procesit kërkimor, grup ky i bërë nga profesorë universitar në fushën e medias dhe komunikimit, gazetarë të pavarur dhe hulumtues.

Hulumtuesja e KALLXO.com sqaroi se në gjetje të këtij hulumtimi është publikuar se në Kosovë e ka të pamundur të kuptojë burimet e financimit të mediave.

“Disa nga to nuk i publikojnë, ndërsa institucionet relevante i kanë bërë publike të dhënat financiare vetëm për dy media në vend. Gjithashtu nga 44 media vetëm  15 kanë kthyer përgjigje duke ofruar të dhënat e tyre mbi pronësinë e mediave që udhëheqin”- deklaroi ajo.

Teksa shpjegoi metodologjinë e hulumtimit, Murtezaj tha se për të arritur deri te informacioni i sigurt, iu janë drejtuar rrugëve zyrtare, institucioneve që mediat i raportojnë, i dorëzojnë lincesat e tyre, ndërrimin e pronësisë, raportet financiare.

“Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve kemi marrë regjistrat e bizneseve në të cilat figuron pronari aktual, themeluesi, në disa raste emrat e bordeve, dhe historikun e bizneseve përmes kërkesave përmes qasjeve ne dokumente publike. Duhet theksuar se ARBK-ja ka qenë bashkëpunuese dhe ka ofruar dokumentet të cilat kanë shërbyer si burime dhe janë edhe publike në uebfaqe”- u shpreh Murtezaj.

Murtezaj theksoi se gjatë hulumtimit kanë siguruar të dhëna edhe jashtë Kosovës, pra në Maqedoni të Veriut.

“Përveç në Kosovë, për shkak se gjatë hulumtimit ka rezultu media jashtë vendit, kemi arritë që me siguru të dhëna edhe jashtë Kosovës, në këtë rast Maqedoni të Veriut, ndryshe nga Kosova, për me marrë një historik të një biznesi është dashtë me pagu për këtë shërbim elektronik”- nënvizoi Murtezaj.

Tutje, ajo tregoi edhe për mos-bashkëpunimin e Ministrisë së Financave, nga të cilët përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, janë kërkuar pasqyrat financiare të mediave.

“Theksojmë se ministria në kuadër të uebfaqes së saj zyrtare ka një faqe që publikon pasqyrat financiare të kompanive, aty kemi arritë me i gjetë vetëm dy kompani mediale. Për disa muaj, nuk kemi arritë me marrë një përgjigje zyrtare me shkrim se cila është arsyeja që nuk kemi drejtë me i marrë. Nuk jemi ndalë tu prit veç në zyrë. Kemi realizu takime edhe në dikastere që mirren me raportet finanicare dhe janë arsyetu që nuk iu lejon ligji pasi vetëm kompanitë e mëdha publikohen, por tu mos na dhanë arysetim me shkrim se cili ligj thotë kshtu, se cilat kritere e përcaktojnë një kompani të madhe”- sqaroi Murtezaj.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN në bashkëpunim me “Global Media Registery” ka publikuar sot faqen e internetit të Monitorimit më të madh të Pronësisë së Mediave në Kosovë.

Ueb-sajtin e Monitorimit të Pronësisë së Mediave në Kosovë e gjeni në këtë LINK.