Murati flet për tërheqjen e mundshme të parave nga Trusti

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ka komentuar diskutimin që është bërë për tërheqjen e mundshme të parave nga Trusti.

Murati ka thënë se “nëse do të ndodhte tani (tërheqja e parave nga Trusti)  ndikimi do të ishte negativ në ekonomi për shkak se jemi në një ambient inflacionar”.

“Sa i përket efektit në ekonomi apo në financat publike, iniciativës që ka nodhur në vitin 2020 të tërheqjes së parë prej 10% dhe efekti i saj do të vërehët financat publike, sepse na e kanë lënë një gropë prej 110 milionë euro për t’a paguar rimburshsimin”, ka thënë Murati.

Ministri ka thënë se në vend të tërheqjes së trustit do të mund të rriteshin pensionet apo asistencat familjare.

“Në vend që me politika fiskale me paret që i mbledhim për buxhet të bëjmë politika të reja për t’i mbështetur qytetarët apo t’i rrisimi pensionet, apo të rrisim mbështetjen për familjet në asistenc socilae duhet 110 milion euro me i marr prej buxhetit për me i rimbursu ata që i kanë  tërheq mjetet në vitin 2020”, ka thënë ministri.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për fondet pensionale të Kosovës është në dorën e deputetëve të Kuvendit.

“Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro të tërheqin 25 për qind. Për ata që kanë nga 20 mijë euro të kenë të drejtën e tërheqjes 20 për qind.

Ndërsa kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë euro  -15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro të kenë të drejtën e tërheqjes së 10 për qind të mjeteve.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se me të dalë ideja mbi tërheqjen e mjeteve nga Trusti, AAK ka qenë pro që të realizohet kjo mundësi.

“Për ne ky projektligj mbi tërheqjen e Trustit është mundësi e artë për qytetarët e Kosovës që sadopak ta rrisin mirëqenien e tyre, e cila tashmë është në gjendje të mjerueshme qysh nga pandemia dhe tani nga rritja enorme e çmimeve. Qeveria Kurti e ka obligim të ju dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës sepse udhëheq vendin dhe ka marrë mbi 50% të votave të qytetarëve”, ka thënë ai.

“Mbi këto fakte vota e AAK-së shkon për këtë Projektligj që lejon tërheqjen e Trustit nga qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lekaj për KALLXO.com.

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se që kur ka filluar të shfaqet kriza kjo parti ka propozuar disa masa që duhet të ndërmerren.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Hoti ka përmendur këto masa, në mesin e tyre edhe tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale.

“Thellimi i krizës është arsyeja pse duhet urgjentisht të zbatohen masat, të cilat i kemi propozuar kur filloi të shfaqet kriza, 1. Të mos rritet çmimi i energjisë, 2. Të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike, 3. Të rriten subvencionet në bujqësi, 4. Të rritet paga minimale, 5. Të konsiderohet tërheqja e një shume të kursimeve pensionale”, ka thënë Hoti për KALLXO.com

Qeveria: Nuk përkrahim tërheqjen e mjeteve nga Fondi Pensional