LDK dhe AAK deklarohen lidhur me Projektligjin që mundëson tërheqjen e deri 30 për qind të mjeteve nga Trusti

Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30 për qind të mjeteve nga Trusti u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për fondet pensionale të Kosovës është në dorën e deputetëve të Kuvendit.

“Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro të tërheqin 25 për qind. Për ata që kanë nga 20 mijë euro të kenë të drejtën e tërheqjes 20 për qind.

Ndërsa kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë euro  -15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro të kenë të drejtën e tërheqjes së 10 për qind të mjeteve.

Sipas propozuesit, ky Projektligj ka për qëllim që pjesëmarrësve të Trustit t’u krijohet bazë ligjore për tërheqjen e vlerës prej dhjetë (10) deri tridhjetë (30) për qind (%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, si masë konkrete për mundësimin e përballimit më të lehtë të pasojave ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19 dhe inflacioni në ekonomi.

Qendrimi i AAK-së dhe LDK-së për terheqjen e mjeteve nga Trusti

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se me të dalë ideja mbi tërheqjen e mjeteve nga Trusti, AAK ka qenë pro që të realizohet kjo mundësi.

“Për ne ky projektligj mbi tërheqjen e Trustit është mundësi e artë për qytetarët e Kosovës që sadopak ta rrisin mirëqenien e tyre, e cila tashmë është në gjendje të mjerueshme qysh nga pandemia dhe tani nga rritja enorme e çmimeve. Qeveria Kurti e ka obligim të ju dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës sepse udhëheq vendin dhe ka marrë mbi 50% të votave të qytetarëve”, ka thënë ai.

“Mbi këto fakte vota e AAK-së shkon për këtë Projektligj që lejon tërheqjen e Trustit nga qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lekaj për KALLXO.com.

Lekaj ka thënë se duke qenë se jemi në stinën e pranverës, qytetarët me ato mjete kanë mundësinë që të bëjnë investime në bujqësi, blegtori, ndërtimtari, etj.

“Kështu përveç që do të zhvillohej cikli ekonomik i shtetit, njëkohësisht do të forcoheshin ekonomitë familjare dhe familjet pasi do të krijonin produkte e stoqe të ndryshme për stinën e vjeshtës dhe dimrit”, ka thënë Lekaj në një përgjigje për KALLXO.com.

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se që kur ka filluar të shfaqet kriza kjo parti ka propozuar disa masa që duhet të ndërmerren.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Hoti ka përmendur këto masa, në mesin e tyre edhe tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale.

“Thellimi i krizës është arsyeja pse duhet urgjentisht të zbatohen masat, të cilat i kemi propozuar kur filloi të shfaqet kriza, 1. Të mos rritet çmimi i energjisë, 2. Të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike, 3. Të rriten subvencionet në bujqësi, 4. Të rritet paga minimale, 5. Të konsiderohet tërheqja e një shume të kursimeve pensionale”, ka thënë Hoti për KALLXO.com.

Sa i përket subjektit politik më të madh në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje, kjo parti ka thënë se nuk do ta mbështesë këtë propozim të PDK-së.

Qeveria kundër tërheqjes së mjeteve nga Fondi Pensional

Partia Demokratike e Kosovës më 21 mars 2022 e ka dërguar në Qeveri Projektligjin për plotësim ndryshim të Ligjit për fonde pensionale, për çështjen e tërheqjes edhe të një sasie të caktuar nga Trusti.

Qeveria e Kosovës, pas një muaji, më 21 prill ka bërë të ditur se nuk e përkrah nismën legjislative të Kuvendit të Kosovës që ka të bëjë me tërheqjen e një sasie të caktuar të parave.

Ekzekutivi ka thënë se tërheqja e mjeteve nuk ndihmon kategoritë në nevojë pasi që përqindja e tyre në Fondin Pensional është e ulët.

“Qeveria ka dhënë mendimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, që nuk e përkrahë këtë nismë legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës është afër qytetarëve, për të ndihmuar përmes rishpërndarjes, rritjes së punësimit, rritjes së mbështetjes në skemat sociale, për fëmijët, gratë dhe të rinjtë, si dhe për fermerët e ndërmarrësinë e vogël e të mesme. Tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vet përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët”, ka njoftuar Qeveria.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati, të martën në mbledhjen e Komisionit për buxhet tha se tërheqja e mjeteve nga Trusti krijon shprehi që çdo vit të ketë edhe një tërheqje.

“Krijohet shprehia që çdo vit të ketë edhe një tërheqje derisa në fund përfundojmë me një fond që nuk ka ndonjë shumë substanciale. Çështja e dytë është se nuk është që ndihmon shumë prej familjeve që janë në nevojë, sepse ato familje nuk është që punojnë në sektorë të formatizuar apo ndoshta kanë kursime të mjaftueshme, marrë parasysh se të ardhurat e tyre janë të ulëta”, ka thënë Murati.

Procedura e Projektligjit për miratim

Projektligji nr.08/L-134 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116 është shpërndarë sot në Kuvend.

Dje Projektligji është publikuar në faqen elektronike të Kuvendit të Kosovës.

Sipas rregullores së Kuvendit, neni 54, Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e parë të radhës, e cakton komisionin funksional – raportues për shqyrtim të Projektligjit në parim.

Anëtarët e Komisionit për buxhet, financa dhe transfere duhet ta shqyrtojnë dhe aprovojnë procedimin e tij në seancë për votim.

Nëse pProjektligji nuk i merr shumicën e votave të anëtarëve të Komisionit për buxhet, financa dhe transfereve, ai nuk kalon fare për shqyrtim në seancën e Kuvendit.

Ndërsa, sipas nenit 56 të kësaj rregullore, shqyrtimi i parë i një projektligji nuk mund të bëhet pa kaluar dy javë pune dhe as më vonë se katër javë pune, nga dita e shpërndarjes së tij.

Ndërsa për të kaluar në lexim të dytë, projektligji u shkon komisioneve të përhershme për harmonizim.

Ndryshimi i Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, në mënyrë që të miratohet duhet të marrë së paku shumicën e thjeshtë të votave të deputetëve, 61 vota.

10% i vitit 2020

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti në programin qeverisës, në një nga masat e pakos së rimëkëmbjes ekonomike pas rënies ekonomike si pasojë e masave të ndërmarra për mospërhapjen e COVID-19, kishte paraparë tërheqjen e një përqindjeje të kursimeve pensionale.