Munguan tre të akuzuar, dështon seanca për lotsjellësin në Kuvend

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më 21.03.2025, është paraqitur e vetme në seancën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2016.

Të akuzuarit e tjerë për këtë rast: Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Donika Kada-Bujupi nuk u paraqitën në seancë – gjë që pamundësoi mbajtjen e saj.

Deputetët të cilët asokohe ishin në opozitë kundërshtonin Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Gjyqtari Bujar Ahmeti lidhur më të akuzuarën Donika Kada-Bujupi njoftoi se Gjykata ka dëshmi se ajo është njoftuar për këtë seancë, kështu që mungesa e saj nuk arsyetohet.

Ndërsa, lidhur me të akuzuarit, Pal Lekaj dhe Besa Baftiu, gjyqtari Ahmeti tha se Gjykata nuk ka dëshmi se janë ftuar në kohë dhe në mënyrë të rregullt.

Tutje, gjyqtari Ahmeti njoftoi se mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Musa Damati me një parashtresë më 18.03.2025 e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të prezanatojë në seancë për shkak të angazhimeve të tjera dhe ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.

Nga radhët e Prokurorisë i pranishëm në seancë ishte prokurori Rrahim Podvorica.

Në mungesë të kushteve të ligjore, seanca dështoi të mbahet sot dhe u caktua për në muajin maj 2025.

Ndryshe kjo çështje penale ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, mirëpo Trupi Gjykues i kësaj çështje penale kishte vendosur që Departamenti për Krime të Rënda të shpallet inkompetent në pikëpamje lëndore dhe lëndën ta kalojë në kompetencë në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën e Prishtinës.

Kujtojmë se seanca e datës 21.11.2024 e kësaj çështjeje penale ishte anuluar, pasi që në këtë seancë nuk ishin paraqitur: Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Pal Lekaj.

Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj akuzoheshin se në shkurt të 2016-ës kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës – duke e kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin Marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për Demarkacionin e kufirit dhe Marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Më 18.05.2021, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe tre të tjerët ishin liruar nga akuza për “hedhjen e gazit lotsjellës”.

Më 10.02.2023 për këtë rast ishte caktuar që të bëhet ekspertizë  balistike, e cila do të përpilohej jashtë vendit.