Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Lënda për lotsjellësin në Kuvend nga Departamenti për Krime të Rënda i kalon atij të Përgjithshmit të Gjykatës së Prishtinës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është anuluar seanca e së hënës, më 10.02.2025, ndaj minstres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Besa Baftiut, Donika Kadaj Bujupit e Pal Lekajt, të cilët po akuzohen se në shkurt të 2016-ës kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke e kryer veprën penale: “armëmbajtje pa leje”.

Me këtë veprim deputetët e asaj kohe që ishin në opozitë kundërshtonin Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ministrja e tanishme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka parashtruar Kërkesë në Gjykatë, ku ka kërkuar që Departamenti për Krime të Rënda të shpallet si jokompetent sa i përket kompetencës lëndore dhe lënda të dërgohet në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj Gjykate.

“Ju njoftojmë se lidhur me lëndën me numër PKR. nr. 543/2022, e akuzuara A.H. ka parashtruar Kërkesë në Gjykatë dhe e njëjta ka kërkuar që Departamenti për Krime të Rënda të shpallet si jokompetent sa i përket kompetencës lëndore dhe lënda të dërgohet në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale të kësaj Gjykate.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të kësaj Gjykate, Trupi Gjykues i kësaj çështje penale ka vendosur që Departamenti për Krime të Rënda të shpallet inkompetent në pikëpamje lëndore dhe lëndën ta kalojë në kompetencë në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën e Prishtinës.

“Trupi Gjykues në këtë çështje penale ndaj të akuzuares A.H. etj. ka vendosur që Departamenti për Krime të Rënda të shpallet inkompetent në pikëpamje lëndore dhe lëndën ta kalojë në kompetencë në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale të kësaj Gjykate. Meqenëse, Gjykata ka vendosur që Departamenti për Krime të Rënda të shpallet inkompetent, seanca e shqyrtimit gjyqësor e paraparë më 10.02.2025, në ora 13:15, është anuluar.” – thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.

Kujtojmë se seanca e datës 21.11.2024 e kësaj çështjeje penale ishte anuluar, pasi që në këtë seancë nuk ishin paraqitur: Besa Baftiu, Donika Kadaj Bujupi dhe Pal Lekaj.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin Marrëveshjen Kosovë – Mali i Zi për Demarkacionin e kufirit dhe Marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Më 18.05.2021, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe tre të tjerët ishin liruar nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës.

Më 10.02.2023, për këtë rast ishte caktuar që të bëhet ekspertizë balistike, e cila do të përpilohej jashtë vendit.