Vetëm Haxhiu paraqitet në gjykatë, dështon seanca për lotsjellësin në Kuvend më 2016

Ministrja e tanishme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është paraqitur e vetme në seancën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016.

Të bashkëakuzuarit e Haxhiut për këtë rast, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Donika Kada- Bujupi munguan në seancën e datës 21.11.2024.

Me këtë veprim deputetët e asaj kohe që ishin në opozitë kundërshtonin marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas gjyqtares së rastit, Fatime Dermaku, e akuzuara Donika Kadaj- Bujupi përmes e-mailit kishte njoftuar gjykatën se për shkak të angazhimit profesional dhe urgjent nuk mund të paraqitet në seancë.

Videon nga seanca mund ta shihni KËTU. 

Sipas gjykatës, për të akuzuarën Besa Baftiu nuk ka fletëkthesë në gjykatë, sepse ftesa i është dërguar asaj që një kohë. Arsyetim pati edhe për mungesën e Lekajt.

“Pal Lekaj mungon i cili ka qenë i njoftuar për seancën e sotme dhe mbrojtësi i tij e njoftoj gjykatën se i njëjti do të prezantojë në seancë edhe pse dje na ka njoftuar me e-mail, dje i kem njoftuar që mos me mungu në seancën e radhës pasi do të paraqiten me urdhëresë”- tha gjyqtarja e çështjes.

Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj- Bujupi e Pal Lekaj, akuzoheshin se në shkurt të 2016-ës, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin marrëveshjen Kosovë – Mali i Zi për Demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë – Serbi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

18.05.2021 Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe tre të tjerët ishin liruar nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës.

10.02.2023 për këtë rast ishte caktuar që të bëhet ekspertizë  balistike e cila do të përpilohej jashtë vendit.