Munguan dy anëtarë, dështon mbledhja e KPK-së

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dështuar të mbajë mbledhjen e paraparë të martën, për shkak të mungesës së kuorumit.

Në këtë mbledhje, mes tjerash, do të diskutohej edhe për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës.

Në këtë mbledhje munguan dy anëtarë të KPK-së.

Këtë për KALLXO.com, e ka konfirmuar Zyra për Komunikim me Publikun e KPK-së.

“Dy anëtarët e KPK-së: Jehona Grantolli – prokurore pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dhe Agron Beka përfaqësues nga fakultetet juridike, kanë munguar për arsye shëndetësore dhe familjare” – ka thënë përmes telefonit Bedri Gashi – ushtrues detyre i udhëheqësit të Zyrës për komunikim me publikun në këtë institucion.

Gashi po ashtu ka bërë me dije se mbledhja e planifikuar për sot u shty për datën 27 korrik 2023, në ora 13:00.

KPK do të duhet të sigurojë kuorumin e obliguar ligjërisht prej 9 anëtarësh sipas gjendjes aktuale, ku nga 13 anëtarë sa do të duhej t’i kishte në tërësi, i ka vetëm 11.