Foto: KALLXO.com

Mungesa e ngrohjes pengon mësimin në shkollën “Rexhep Elmazi” në Gjilan (VIDEO)

780 nxënësit e shkollës fillore “Rexhep Elmazi” në Gjilan, në muajin dhjetor dhe janar përballur me mungesën e ngrohjes.

Gjatë muajit dhjetor janë prishur pompat e nxemjes, ndërsa në muajin janar për shkak të problemeve me trafo të energjisë eklektike nuk ka qenë e mundur që të ngrohet i tërë objekti.

“Ky problemi ka zgjatë gjashtë ditë duke përfshi edhe rastin e parë të pompave dhe rastin e dytë të rrjetit ose të fazës së tret që nuk ka funksionu. Këto ditë edhe pse faza nuk ka qenë funksionale kemi zbrit nxënësit prej katit të tretë, katin e tretë e kemi lënë të lirë”, ka thënë Nehat Ramadani, ushtrues i detyrës së drejtorit të shkollës “Rexhep Elmazi”.

Orët e mësimit në ditët kur ka munguar ngrohja janë shkurtuar në 20 minuta.

“Bie sistemi energjetik dhe pompat të cilat e shpërndajnë ujin në nxemje janë tre fazore dhe meqenëse që një fazë nuk funksionon, atëherë në katin e tretë, aty, këtu edhe në klasë tjera nuk ka nxemje kështu që jemi detyru në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit që orët t’i shkurtojmë, sepse edhe variant C për zhvillimin e mësimit online kemi pa që është i pa mundur për shkak se e tërë lagjja nuk ka pas rrymë”, ka thënë Ramadani.

Ndërsa prej KEDS-it kanë bërë të ditur kjo ka ndodhur për shkak të mbingarkesave në rrjet.

“Tashmë konsumatorët, sidomos shkollat nuk kanë probleme. Intervenime të tilla jemi duke bërë anekënd Kosovës pasi ka shumë mbingarkesa si pasojë e ngrohjes masive me energji elektrike”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënësi i KEDS-it.

Edhe vjetërsia e objektit të shkollës “Rexhep Elmazi” ndikon që shkolla mos të jetë e ngrohtë.

KALLXO.com ka provuar të marr edhe një përgjigje nga Komuna e Gjilanit, por të njëjtit nuk janë prononcuar për këtë çështje.

Që nga dhjetori Kosova është përballur me reduktime të energjisë elektrike për shkak të krizës.