MSh reagon ndaj deputetes Time Kadriaj për publikimin e identitetit të personave që u liruan nga karantina

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj deputetes Time Kadriaj pasi publikoi emrat e personave me probleme shëndetësore që u liruan nga karantina.

Sipas Ministrisë, të gjitha vendimet e posaçme të nënshkruara nga ana e ministrit Arben Vitia janë rekomanduar nga profesionistët shëndetësorë, të fushave të ndryshme, të cilët e kanë përgatitur pasqyrën shëndetësore për secilin person që ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës pas hyrjes në fuqi të masave për mbrojtjen e shëndetit publik dhe rekomandimeve te Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ministria e Shëndetësisë thotë në komunikatë se bashkë me personelin shëndetësor mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik, njëkohësisht edhe në mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve  nga stigmatizimi.

Po ashtu MSh ka njoftuar se do të ndërmarrë masa në pajtim me ligjin për personat që kanë cenuar privatësinë e qytetarëve.

“Privatësia e gjendjes shëndetësore është e drejtë e garantuar me ligj për secilin qytetarë në Republikën e Kosovës. Ndaj ju bëjmë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në reagim.

Ky reagim i ministrisë vjen pasi deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj ka publikuar emrat e personave të cilët janë liruar nga karantina në Qendrën e Studentëve për shkak të gjendjes shëndetësore të tyre.

Ajo  këtë e kishte bërë për të dëshmuar që sipas saj, Vitia ka bërë lirimin  e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.