Patriarku Porfirije në Manastirin e Pejës | Foto: Ibrahim Berisha/REL

MPJD refuzon kërkesën e patriarkut Porfirije për të vizituar Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se ka refuzuar kërkesën e patriarkut tё Kishёs Ortodokse Serbe, Porfirije, për të vizituar Patrikanën e Pejës më 13.05.2024.

Në një komunikatë për media, MPJD thotë se përderisa Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit, nuk do të lejohen vizitat e tilla.

“Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana jonë”- thuhet në komunikatë.

Sipas MPJD-së, Serbia ka krijuar grup ministror për ta shkelur Marrëveshjen bazike dhe për të penguar anëtarësimin e së Kosovës në Këshillin e Europës, duke shtuar se “përderisa vazhdon me këtë qasje dhe luftë me çdo mjet kundër Kosovës nuk do këtë aprovim te vizitave të tilla”.

MPJD ka inkurajuar Serbinë që të zbatojë Marrëveshjen bazike dhe të veprojë me reciprocitet në raport me Kosovën dhe vizitat e ndërsjella.