MPJD: Nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi në Këshillin e Evropës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar në lidhje me disa raportime se ka dështuar anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Përmes një komunikate për media, MPJD ka shkruar se nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Madje MPJD thotë se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në procesin e anëtarësimit, duke cituar një interpretim ligjor që sipas tyre e ka bërë Sekretariati i Këshillit të Evropës.

“Në muajin shtator të vitit 2022, nga vet Sekretariati i Këshillit të Evropës është dhënë interpretim ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i cili konfirmon qartë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës” – thuhet në reagimin e MPJD.

Ministria e Jashtme përmend edhe fjalimin e deputetes Saranda Bogujevci në Asamblenë e Këshillit të Evropës, si produkt i lobimit.

MPJD thotë tutje se para dorëzimit të aplikimit ka pasë koordinim me partnerët ndërkombëtar, për të siguruar mbështetje.

“Para dorëzimit të aplikimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtar dhe përgjatë lobimit të pandërprerë ka siguruar mbështetjen të gjerë për ta kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit. Kjo situatë ka rezultuar edhe në angazhim konkret të një numri të vendeve anëtare mbështetëse për t’i kaluar pengesat përgjatë këtij procesi të anëtarësimit. Këto fakte, përveçse nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, janë vërtetuar edhe nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës” – thuhet në mes tjerash në reagim.

MPJD thotë se janë tri faza që duhet kryer para anëtarësimit, e që Kosova vazhdon të jetë ende në fazën e parë.

“Është e rëndësishme të sqarohet se janë tre faza të votimit për anëtarësim të një vendi në Këshillin e Evropës. Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës:.

“Aplikimi i Republikës së Kosovës është në fazën e parë. Më saktësisht, në këtë fazë, Komiteti i Ministrave duhet të kërkojë opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në këtë fazë të parë të vendimit në Komitet të Ministrave nuk ka përcaktim të standardeve për fillim të anëtarësimit. Rrjedhimisht, çfarëdo kushtëzimi i mundshëm në këtë fazë do të ishte kundër Statutit të Këshillit të Evropës, praktikave të anëtarësimit dhe vlerave të organizatë” – thuhet në komunikatën e MPJD-së.

“Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të angazhohet që faza e parë të kalohet sa më parë” – thuhet në fund të reagimit.