Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, Foto: Pixabay

Gjykimet e tejzgjatura - Si mund t’i kthehet bumerang Kosovës anëtarësimi në Këshill të Evropës?

Gjykimi i drejtë dhe në afat të arsyeshëm është njëri nga parimet kryesore të Kushtetutës së Kosovës por edhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kosova së fundmi ka aplikuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës ndërsa anëtarësimi sipas rregullave nënkupton edhe mundësinë që qytetarët e vendit të ngrenë padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është e implementuar në Kushtetutën e vendit mirëpo për shkak të barrierës së anëtarësimit në KE, qytetarëve të Kosovës u është mohuar e drejta të ngrenë çështje në këtë Gjykatë.

E drejta e garantuar

Të dhënat nga sistemi i drejtësisë mund të nxjerrin në përfundime se parimet e kësaj Konvente nuk janë zbatuar në praktikë sidomos ai për gjykimin në afat të shpejtë dhe të arsyeshëm.

Të dhënat tregojnë që në disa raste, Gjykata me seli në Strasburg ka afirmuar detyrimin që kohëzgjatja e procesit gjyqësor të jetë e arsyeshme e se kjo kohëzgjatje fillon të matet që nga paraqitja e veprimit fillestar juridik (p.sh. padisë) dhe zgjat gjatë tërë rrjedhës së procesit, duke përfshirë edhe atë të ankimimit.

Në një vendim të vitit 1994, Gjykata ishte shprehur se periudhat e gjata, gjatë të cilave procedura stagnon pa ndonjë shpjegim, janë të papranueshme. Në atë rast, Gjykata kishte gjetur shkelje të nenit 6 të Konventës që parasheh të drejtën e qytetarëve për një proces të rregullt dhe në kohë të arsyeshme.

Pra, thënë ndryshe, secili individ që i drejtohet gjykatës me pretendimin se ai është viktimë e shkeljes së ndonjë të drejte që i takon, ka të drejtë që procesi i tij të përfundojë brenda kohës së arsyeshme dhe i njëjti të mos zgjasë me vite të tëra siç ndodh shpesh në vendin tonë.

E drejta e realizuar

Gjendja në praktikë nuk është aspak e mirë. Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, tregojnë për mungesë të efikasitetit të gjykatave themelore.

Gjatë viteve 2016-2020 efikasiteti i gjykatave vendore nuk ka qenë më i lartë se 48%.

Të dhënat tregojnë se numri i lëndëve të përgjithshme të gjykatave në punë gjatë periudhës raportuese 2016-2020 (për katër vite) ka qenë 2 milionë e 282 mijë e 464 raste, prej të cilave 1 milion e 100 mijë e 924 lëndë janë zgjidhur gjatë kësaj periudhe.

Gjatë periudhës 2016-2020, të dhënat tregojnë se 1 milion e 180 mijë e 976 raste kanë mbetur pa u zgjidhur. 

Pra, mesatarisht nga 211 mijë e 46 lëndë në vit kanë mbetur pa u përfunduar gjatë periudhës kohore të lartpërmendur.

Gjatë këtyre viteve, statistikat tregojnë për ulje të numrit të lëndëve në punë nga viti në vit.

Kështu, në vitin 2016 të dhënat pasqyronë se gjithsej 831 mijë e 847 lëndë kanë qenë në punë, kurse në vitin pasardhës 2017, sipas të dhënave, ka pasur një reduktim të dukshëm.

Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2017 gjykatat patën në punë 569 mijë e 373 lëndë, që i bie 262 mijë e 474 më pak se në vitin paraprak. 

Edhe më i ulët ishte numri i lëndëve në vitin 2018, ku përsëri u vërejt ndryshim i ndjeshëm, me 375 mijë e 151 lëndë në punë apo 194 mijë e222 lëndë më pak në krahasim me vitin e kaluar. 

Më 2019, ndonëse nuk pati ndryshim të madh, numri i përgjithshëm i lëndëve në punë ishte 307 mijë e 387, që nënkupton 67 mijë e 746 lëndë më pak u trajtuan krahasuar me vitin 2018.

Sa i përket vitit 2020, ishin gjithsej 198 mijë e 706 lëndë në punë, që paraqet numrin më të vogël gjatë periudhës së lartpërmendur. 

Por, megjithatë, nëse i analizojmë të dhënat atëherë kuptojmë që efikasiteti i zgjidhjes së lëndëve në këtë vit ishte vetëm 27%, duke marrë parasysh se prej numrit të përgjithshëm të lëndëve, vetëm 52 mijë e 792 lëndë janë zgjidhur gjatë periudhës raportuese.

Si shkak për mosefikasitetin në zgjidhjen e rasteve brenda një afati të arsyeshëm pa diskutim që mund të konsiderohet edhe numri i gjyqtarëve, që mbase është i pamjaftueshëm.

Duke u mbështetur sërish në të dhënat nga databaza, rezulton se numri i gjyqtarëve në departamentet e përgjithshme të gjykatave të Kosovës ka variuar nga 178 në vitin 2015, në 168 në vitin 2016, 160 në vitin 2017.

Kurse në vitin 2018, numri i gjyqtarëve u rrit për 188 gjyqtarë, numër ky i cili edhe në vitin pasues u rrit pak, duke çuar numrin e gjyqtarëve të departamenteve të përgjithshme të gjykatave të Kosovës në 218 për vitin 2019.

Në bazë të analizimit të këtyre të dhënave, për çdo muaj shohim se gjyqtarët janë ngarkuar respektivisht me 27.8 lëndë të reja gjatë vitit 2015; 32.2 gjatë vitit 2016, 34.7 gjatë 2017-ës, 29.3 gjatë vitit 2018, numër ky i cili është zbritur në 26.9 gjatë vitit 2019.

Pra, nëse analizojmë të dhënat kuptojmë se efikasiteti i gjyqtarëve në trajtimin e lëndëve ka shkuar duke rënë, në vend që të ngritej. 

Shumë më të mëdha janë shifrat e lëndëve për kundërvajtje, ku në vitin 2015 mesatarisht një gjyqtar ka pasur në punë 470 lëndë të reja për çdo muaj, në vitin  2016 një gjyqtar pati në punë 587 lëndë në muaj, gjatë një muaji në vitin 2017 një gjyqtar ishte i ngarkuar me 50 lëndë, numër ky i cil u rrit në vitin 2018 me 65 lëndë në muaj, kurse në vitin 2019 një gjyqtar i departamentit të përgjithshëm të divizionit për kundërvajtje pati në punë mesatërisht 49 lëndë.

Megjithatë, me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës, qytetarët e Kosovës më në fund mund të shohin dritë në fund të tunelit. Kjo për faktin se atyre do t’u njihet e drejta që t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rrjedhimisht të kompensohen nëse procesi i tyre është tejzgjatur jashtë kufijve të arsyeshëm

Problemi për Kosovën qëndron në faktin se kompensimin do ta bëjë pikërisht shteti. Shifra e të hollave që Kosova mund të detyrohet të paguajë në vitet pas anëtarësimit mund të jetë shumë e lartë për buxhetin e shtetit tonë. Këtu mjafton të marrim shembull Shqipërinë, e cila u detyrua të paguajë gjithsej 13 milionë e 400 mijë euro për shkak të shkeljeve të Konventës gjatë vitit 2019.

Duke pasur parasysh këtë fakt, rekomandimi është që institucioneve tona të drejtësisë urgentisht t’u plotësohen kërkesat buxhetore për shtimin e stafit të administratës në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët ta kenë më të lehtë trajtimin e lëndëve.

Ndërmjetësimi si alternativë

Ndërmjetësimi, si një mënyrë e zgjidhjes së kontesteve në rrugë jashtëgjyqësore, mund të shërbejë si alternativë, e cila mund t’ua lehtësojë punën gjykatave por edhe vetë qytetarëve të interesuar.

Kosova e ka në fuqi Ligjin për Ndërmjetësimin, sipas të cilit është paraparë afati 90-ditor për arritjen e marrëveshjes ndërmjet palëve, me mundësinë që i njëjti të zgjatet edhe për 30 ditë maksimalisht ,nëse marrëveshja nuk arrihet brenda asaj periudhe.

Pavarësisht faktit se ndërmjetësimi njihet në Kodin e Procedurës Penale dhe rregullohet me ligj të veçantë, ku është paraparë edhe ndërmjetësimi i detyrueshëm, kjo formë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve është duke u shfrytëzuar pak.

Nëse e marrim shembull Gjykatën Themelore të Prishtinës (që vepron për territorin e Komunës së Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës, Gllogovcit dhe Graçanicës), të dhënat e publikuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës tregojnë se në vitin 2017 vetëm 270 raste janë dërguar për ndërmjetësim, ndonëse numri i subjekteve që kanë të drejtë të referojnë një rast për ndërmjetësim është i gjerë dhe përfshin personat fizikë e juridikë, gjykatat, prokurorinë dhe organin kompetent administrativ sipas legjislacionit në fuqi. 

Shumica e rasteve janë të referuara nga gjykata.

Gjykatat kanë referuar 230 raste, pjesa tjetër nga prokuroria me 38 raste të referuara si dhe palët me 2 raste. Në vitin 2018, gjykata ka referuar 393 raste, prokuroria 156 dhe palët asnjë. Pra, në vitin 2018 numri i përgjithshëm i lëndëve në ndërmjetësim ka qenë 549, për dallim prej vitit 2019, kur numri i rasteve të tilla kapi shifrën 1 mijë e 142 raste, me 849 të referuara nga gjykata dhe 293 nga prokuroria.

Sidoqoftë, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve të referuara, nga të dhënat vërehet hezitim në referimin e rasteve në ndërmjetësim, ndonëse një gjë e tillë tashmë është e përcaktuar me ligj.

Ajo që mbetet më shqetësuese është mungesa e nismës së palëve për t’i zgjidhur kontestet me ndërmjetësim, që krijon një përshtypje sikur qytetarët në Kosovë nuk janë të informuar mbi mundësinë për të zgjidhur konteste me ndërmjetësim.

Prandaj, në këtë drejtim konsiderojmë që duhet të bëhet më shumë që të promovohet më shumë mundësia e referimit të rasteve për zgjidhje me ndërmjetësim. 

Republika e Kosovës duhet t’i marrë parasysh edhe efektet anësore të anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe të përgatitet për të shmangur atë që mund të shndërrohet në një katastrofë ekonomike. Por, mbi të gjitha, gjendja duhet ndryshuar për shkak se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për gjykime të drejta në kohë të arsyeshme dhe një gjë e tillë do ta konsolidonte shtetin e së drejtës, prandaj referimi i rasteve në ndërmjetësim konsderojmë që është një mundësi shumë e mirë për zgjidhjen e këtyre rasteve dhe mosngarkimin e gjykatave me lëndë të cilat mund të zgjidhen fare lehtë me ndërmjetësim.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.