Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Osmani: Shtetet që besojnë në demokraci e sundim të ligjit do të përkrahin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Presidentja Vjosa Osmani tha se shtetet që besojnë dhe punojnë për demokraci, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit do të përkrahin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Osmani këtë e tha pas dorëzimit në mënyrë zyrtare të aplikimit të Kosovës në KE.

“DEMOKRACI, TË DREJTA TË NJERIUT, SUNDIM I LIGJIT. Këto janë tri vlerat mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës. Kosova është mishërim i këtyre vlerave. Prandaj secili shtet që vërtetë beson dhe punon për këto vlera, do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, tha Osmani në Facebook.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Gërvalla këtë e ka bërë të ditur përmes një adresimi në Facebook.

“Sapo dolëm nga takimi me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të KE dhe në emër të Kosovës propozuam kërkesën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, asamblesë parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror”, tha Gërvalla.

Zyrtare: Kosova e dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës (VIDEO)