I akuzuari Goran Rakiq, Gjykata e Prishtinës, seanca 19.06.2024, Foto: Jetlira Buzhala / KALLXO.com

“Mosha dhe pendimi i thellë”: Çfarë thuhet në Marrëveshjen mes Prokurorisë dhe Rakiqit?

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar Goran Rakiqin me 3 muaj burgim me kusht dhe gjobë prej 1 mijë eurosh për mosdeklarim të pasurisë në kohën kur ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ai akuzohet së në formularin e dorëzuar të deklarimit të pasurisë për vitin 2020, nuk kishte paraqitur saktë të dhënat, duke mos deklaruar të ardhurat si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe në Ndërmarrjen Publike në Mitrovicë.

Rakiq ka arritur Marrëveshje për Pranim të Fajësisë me Prokurorinë e Prishtinës, dhe dënimi i rekomanduar në marrëveshje ishte ai që iu shqiptua nga Gjykata, më 19.06.2024.

Dënimi me kusht nënkupton që ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet dënimi me burg nëse brenda një viti i njëjti nuk kryen ndonjë vepër penale.

Marrëveshja e cila mban datën e 25.04.2024 thekson se arsyet për të cilat është rekomanduar ky dënim janë mosha e të akuzuarit pasi i njëjti deri në këtë moshë nuk ka të kaluar kriminale.

“I pandehuri është i moshës së mesatare dhe i njëjti deri në këtë moshë nuk është dënuar as nuk është zhvilluar procedurë penale ndonjëherë, as nuk ka të kaluar kriminale”- përshkruhet në marrëveshjen e siguruar nga KALLXO.com

Rakiq, më 19.06.2024, para gjykatës ka thënë se ka lindur më 28.07.1971.

Tutje një fakt tjetër që është marrë parasysh në marrëveshjen në fjalë është edhe keqardhja që i akuzuari ka ndjerë për kryerjen e veprës penale si dhe premtimi i tij se nuk do ta përsërisë veprën penale.

Marrëveshja përshkruan edhe sjelljen e të akuzuarit si “korrekte”. Rakiq thuhet se u është përgjigjur me rregull ftesave të organeve të drejtësisë si dhe “është penduar thellë” për veprën penale.

Sipas Prokurorit Ali Ajdini, Marrëveshja është bërë pas intervistimit të të pandehurit në zyren e prokurorit.

Avokati Asdren Hoxha i cili mbron të akuzuarin tha se kjo marrëveshje është bërë duke u nisur nga arsyeja e ekonomizimit të procedurës, gjetjes së të vertetës reale dhe në interes të drejtësisë. Kurse, i akuzuari është njoftuar me benefitet dhe pasojat e marrëveshjes të pranimit të fajësisë.

Në seancën e shqyrtimit të marrëveshjes i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Gani Nikçi, i cili e mbështeti marrëveshjen e arritur mes prokurorit dhe të pandehurit.

Gjyqtarja e rastit, Naime Kraniqi, e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë duke thënë se e njëjta nuk ka asnjë të metë faktike e juridike.

Kualifikimi i veprës penale të cilën e ka kryer Rakiq është sipas nenit 430, paragrafi 2 që ka të bëjë me mosraportimin ose raportimin e rremë të pasurisë, të ardhurave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Sipas paragrafit të përcaktuar në aktakuzën e datës 02.05.2024, dënueshmëria është minimum 6 muaj kurse maksimumi 5 vjet.

Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.” – përshkruhet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Goran Rakiq, ekonomist i diplomuar ka qenë pjesë e jetës institucionale të Republikës së Kosovës.

Kush është Goran Rakiq dhe cilat ishin pozitat e tij në institucionet e Kosovës?

Rakiqi, serb etnik i Kosovës ka shërbyer si ministër, nga 22.03.2021 deri më 05.11.2022, pra deri atëherë kur të gjithë zyrtarët serbë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, më 01.12.2022, Rakiq ishte liruar nga pozita e ministrit.

Para se të jetë ministër në Qeverinë Kurti, Rakiq shërbeu si zëvendëskryeministër i Kosovës dhe si ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë jetëshkurtër të udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, që u rrëzua me vendim të Gjykatës Kushtetuese më 03.06.2020.

Më parë, në kohën kur Isa Mustafa ishte kryeministër, përkatësisht në vitin 2016, Rakiq ka qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi ishte betuar për Republikën e Kosovës në vitin 2014.

Ai fitoi mandatin e tij të dytë 4-vjeçar në zgjedhjet lokale që u mbajtën në Kosovë në vitin 2017.

Që nga viti 2017, Rakiq ka qenë kryetar i Listës Serbe – parti e cila udhëhoqi dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të dhjetë vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb, deri në dorëheqjen e tyre në nëntor të vitit 2022.

Rakiq në seancën e Kuvendit të Serbisë kishte thënë në mandatet si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, e ka zgjedhur populli serb e jo institucionet e Kosovës.

Rakiq më nuk është as pjesë e strukturës në Listën Serbe.

Më 24.10.2023, në krye të Listës Serbe u zgjodh Zlatan Elek, i cili që nga viti 2020 ka qenë drejtor i Spitalit në Mitrovicë të Veriut – institucion që funksionon me sistemin serb.

E gjithë loja ndryshoi kur zyrtarët serbë lëshuan institucionet e Kosovës, meqë rast Goran Rakiqit i dha mundësinë që të kandidojë për deputet nga radhët e partisë së presidentit serb Aleksandër Vuçiq, në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 17.12.2023.