Përmbytjet në Shkodër, Foto: Policia e Shtetit

Momenti kur policia evakuon dy familje që ishin izoluar nga uji në Shkodër – VIDEO

Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se në Shkodër kanë evakuuar dy familje që ishin izoluar nga uji, për shkak të situatës së krijuar nga moti i ligë.

Sipas njoftimit, grupi i evakuim-shpëtimit dhe grupi alpin i FNSH Shkodër, pas marrjes së njoftimit se në lagjen Ajasem, në Shkodër, dy familje ishin zoluar nga uji dhe se njëri prej pjesëtarëve të familjeve ishte i sëmurë dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore, janë nisur menjëherë në drejtim të tyre, së bashku me mjetet lundruese që FNSH ka në dispozicion për rastet e evakuim-shpëtimit.

“Falë ndërhyrjes në kohë, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur evakuimin e pjesëtarëve të të dyja familjeve, si dhe dërgimin në spital, të njërit prej tyre, i cili pas ndihmës mjekësore u dërgua në banesën e të afërmve të tij”- thuhet në njoftim.

Nisur nga situata e krijuar, të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin kanë kaluar në shërbim të përforcuar dhe janë në gatishmëri për t’iu ardhur në ndhmë banorëve, në rast nevoje, bëhet e ditur tutje në njoftim.

Kosova dhe Shqipëria të dielën po përballen me gjendje të rënduar nga vërshimet nëpër disa vendbanime.