Arat e përmbytyra në Biti të Poshtme- Shtërpcë

MMPH: Kompania MATKOS Group nuk i ka lënë banorët e Bitisë së Poshtme pa ujë

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pas një inspektimi të bërë në fshatin Biti e Poshtme ka vlerësuar se investitori MATKOS Group nuk i ka lënë banorët pa ujë të pijshëm.

Inspektimi në vendin e ngjarjes ka ardhur me kërkesë të investitorit MATKOS Group, me pronar Labinot Vitija, pasi banorët janë ankuar se ky investitor me punimet që është duke i bërë për ndërtimet e hidrocentralit në këtë fshat ka dëmtuar burimin e ujit nga ku janë furnizuar banorët e këtij fshati.

Inspektorati ka vlerësuar se furnizimi i rezervuarit është i pamundur për shkak se kuota e lumit është në lartësi mbidetare ndryshe nga ajo e rezervuarit.

Lumi Lepenc, sipas raportit, është në disnivel në një lartësi prej 1.5 metra më poshtë se rezervuari.

Në raportin e MMPH-së poashtu thuhet se ky ujë i pijshëm, nga Instituti i Shëndetësisë Publike në Ferizaj është vlerësuar si i papijshëm e gjithashtu nuk mund të përdoret as për higjienë.

Pas inspektimit, inspektorati ka konstatuar se kompania MATKOS Group do të bëjë zgjidhje të përkohshme për banorët që të ju sigurojë atyre ujë të pijshëm.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për problemet e banorëve të fshatit Biti e Poshtme me investitorin MATKOS Group.

Banorët të fshatit Biti e Poshtme kanë protestuar disa herë para Komunës së Shtërpcës për mungesë të ujit të pijshëm gjatë muajit dhjetor 2019, janar dhe shkurt 2020.

Banorët kanë pretenduar se investitori MATKOS Group ka ndryshuar rrjedhën ujore të lumit duke i lënë ata pa furnizim të rregullt qysh prej fillimit të muajit dhjetor.

Rreziku për lënie të banorëve pa ujë të pijshëm nga ndërtimet e hidrocentralit është diskutuar edhe në Emisionin Jeta në Kosovë gjatë muajit tetor.

Përmbyten arat e banorëve të Bitisë së Poshtme shkaku i ndërtimit të hidrocentralit

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.