Investitori premton se banorët përgjatë Lepencit nuk do mbesin pa ujë

Investitori i hidrocentraleve në lumin Lepenc, Labinot Vitija, ka thënë se sa i përket tyre banorët nuk do të mbeten kurrë pa ujë.

“Sa i përket neve, investitorëve, nuk ka me ndodhë që qytetarët me mbet pa ujë dhe nëse mbeten është ministria që dënon, po ashtu nëse nuk i besojnë ligjit atëherë unë ty po të premtoj që qytetarët nuk kanë me mbet kurrë pa ujë”, ka premtuar Vitija.

Edhe Bekim Shyti nga Shoqata e Energjisë së Ripërtërishme, ka thënë se nëse lumi ka ujë atëherë banorët nuk do të mbeten pa ujë asnjëherë sa i përket investitorit.

“Bizneset që po i ndërtojnë këto hidrocentrale nuk e dëmtojnë ambientin, nuk e marrin ujin dhe unë të garantoj që asnjë banor nuk do të mbetet pa ujë dhe nëse e ndalë Zoti, ty e mu, nuk kam çfarë të bëj, por nëse ka me pas ujë në lumë, Labinoti ka me i ndalë turbinat  dhe ti nuk ke me mbet pa ujë”, ka thënë Shyti.

Sonte në emisionin Jeta në Kosovë diskutohet për hidrocentralet që po ndërtohen në lumin Lepenc në Malet e Sharrit.

Emisioni Jeta në Kosovë sonte do të mbledhë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, investitorin  MATKOS Group, përfaqësues të shoqërisë civile dhe banorë dhe gjithashtu Policinë e Kosovës.

Për hidrocentralet përgjatë lumit Lepenc, sonte do të flasin: Gani Berisha- drejtori i Departamentit të Ujërave në MMPH, Mustafë Hyseni, Inspektori i Mjedisit nga MMPH, Malsore Elshani- Njësia e Ndikimit Mjedisor në MMPH, Afrim Lajçi-  Këshilli Ndërministror për Ujëra, Bekim Shyti- Shoqata e Energjisë së Ripërtërishme, Labinor Vitija- Investitori MATKOS Group, Diana Metushi- Krasniqi- KDI, Shpejtim Arifi- Banor i fshatit Biti e Poshtme, Azem Tahiri- Banor i fshatit Biti e Poshtme, Agron Rushiti- Banor i fshatit Biti e Poshtme.

Jeta në Kosovë transmetohet sonte në orën 20:15 në RTK dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com. Repriza të hënën në mesditë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.