Përmbyten arat e banorëve të Bitisë së Poshtme shkaku i ndërtimit të hidrocentralit

Dalja nga shtrati e lumit Lepenc ka dëmtuar shumë ara me mjedra të banorëve të Bitisë së Poshtme të Shtërpcës.

Kjo për shkak të ndërtimit të hidrocentralit dhe futjes së lumit në gypa që janë duke u ndërtuar përgjatë lumit.

 

Agron Rushiti, banor i Bitisë së Poshtme ka thënë se dalja e lumit nga shtrati ka ndodhur për shkak të punimeve që kompania MATKOS Group është duke i bërë në fshat.

Agron Rushiti- banor i Bitisë së Poshtme

“Kanë punuar para tri ditëve e kanë shti gypin dhe dheun që e kanë prashitë e kanë qitë në trap dhe nuk ka pas qare pa u bë ndarja e lumit edhe na ka ra në të dy pjesët”, ka thënë Rushiti.

Banorët thonë se këto punime i kanë lënë ata pa ujë tashmë dy muaj si dhe u kanë dëmtuar të mbjellat e gjithashtu edhe tokën sepse sipas tyre në pranverën e këtij viti u rrezikohet edhe mbjellja e misrit e kulturave të tjera bujqësore.

Ndërsa puset, nga të cilat kanë marrë ujit kanë mbetur të pashfrytëzueshme për shkak të vërshimeve.

“E njëjta kompani neve na ka shkaktuar edhe dëmin e ujit të pijes. I kemi fiks dy muaj ditë pa ujë të pijes komplet fshati jonë”, ka vazhduar më tej Rushiti.

Në anën tjetër, investitori i hidrocentraleve në lumin Lepenc, Labinot Vitija, në emisionin Jeta në Kosovë, të mbajtur me 17 tetor, u kishte premtuar banorëve se nuk do të mbesin kurrë pa ujë.

Labinot Vitija- Investitori MATKOS Group

“Nëse nuk i besojnë ligjit atëherë unë ty po të premtoj që qytetarët nuk kanë me mbet kurrë pa ujë”, kishte thënë Vitija duke garantuar publikisht se problemet e tilla nuk do të shfaqen për banorët si pasojë e punimeve.

Edhe Bekim Shyti nga Shoqata e Energjisë së Ripërtërishme, ka thënë se nëse lumi ka ujë atëherë banorët nuk do të mbeten pa ujë asnjëherë sa i përket investitorit.

Bekim Shyti- Shoqata e Energjisë së Ripërtërishme

“Gjithë ke me pas ujë të pijshëm dhe unë të garantoj, shteti ka me të garantu që ka me pas ujë të pijshëm dhe nëse e ndalë Zoti, ty e mu, nuk kam çfarë të bëj, por nëse ka me pas ujë në lumë, ti ke me pas ujë, unë nuk kam me i lëshu turbinat edhe  Labinoti ka me guxu me i lëshu turbinën”, kishte premtuar Shyti.

Idriz Arifi, një banorë tjetër i Bitisë së Poshtme ka thënë se pasojat e shkatërrimit janë duke u parë me rënien e reshjeve të para të shiut.

Idriz Arifi- banor i Bitisë së Poshtme

“Tash uji i parë që ka ra shiu, menjëherë pasojat po shihen, ka dalë lumi jashtë shtratit, i ka prishë mjedrat dhe ato në mot nuk kapin fryt. Ato ara është problem edhe me i lëvru ato ara  dhe  pasojat po shihen ende pa përfundu punimet”, ka thënë Arifi.