Labinot Vitija-- MATKOS- foto KALLXO.COM

Investitori i hidrocentraleve në Lepenc fton deputetët t'i mbathin qizmet dhe të dalin në terren

Në Komisionin hetimor parlamentar për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës sot ka raportuar para deputetëve Labinot Vitija, drejtor i Kompanisë “Matkos Group”.

Vitija në komision ka raportuar për ndërtimet e hidrocentraleve përgjatë lumit Lepenc në Malet e Sharrit.

Vitija më tej gjatë raportimit ka treguar para deputeteve se në të gjitha fshatrat nëpër të cilat ka ndërtuar hidrocentralet, probleme ka pasur vetëm në fshatin Bitij e Poshtme ku banorët kanë kundërshtuar kategorikisht ndërtimin e tyre.

Gjithashtu ai ka shtuar se nga protestat dhe mos kënaqësitë e banorëve të zonës ka pasur dëme në makineritë e punës deri në 2 milionë euro.

“Ky komision është i vonuar dhe do të duhet të krijohej shumë më herët. Unë jam pajisur me të gjitha lejet sipas ligjit. Ndërsa për dëmtimet në ambient ato i konstaton inspektorati dhe jo unë. Unë jam munduar me i rregullu objektet me i përshtat me natyrën, janë punu me gurë dhe dru edhe pse ky nuk ka qenë obligim i imi. Gjithashtu rreth rehabilimitimit mund të dilni në terren dhe ta shihni nëse mund ta dalloni shtrirjen e gypave ose diçka tjetër. Ne kemi pasur shumë sfida dhe dëmtime në makineri. Ka pasur edhe të shtëna me armë”, ka deklaruar Vitija.

Ai ka thënë po ashtu se njoftimet për debate publike i ka bërë në gazetata zyrtare dhe se nuk ka qenë në kompetencën e tij të njoftoj veçmas banorët, ndërsa ka ftuar deputetë t’i mbathin qizmet dhe të dalin në terren dhe ta shohin nga afër punën që është bërë për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.

Shkatërrimi i lumit Lepenc nga hidrocentralet e vogla