Misteret e vdekjeve të dëshmitarëve të Gjykatës së Hagës

Misteret e vrasjes së një rojtari të pyllit i cili sipas familjarëve është thirrur si dëshmitar nga Dhomat e Specializuara ka ringjallur sërish vdekjet e dëshmitarëve të tjerë të thirrur për të dëshmuar për rastet e dyshuara të krimeve të luftës në Kosovës në 1999.

Detajet që ka dhënë familja për KALLXO.com por edhe burimet brenda Policisë së Kosovës kanë krijuar dyshime se vrasja e rojtarit të pyllit Nazmi Rrustemi u bë për shkak të një intervistimi të këtij të fundit disa muaj më parë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Prishtinë.

Por a është ky dëshmitari i parë që vdiq në rrethana misterioze e deri më tani nuk ka ndonjë të dyshuar?

Dëshmitarë e të dyshuar janë ftuar që nga paslufta në Kosovë për të dëshmuar për krimet e luftës në vitet 1998-2000.

Fillimisht këto raste u trajtuan nga administrata e Kombeve të Bashkuara- UNMIK si dhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish- Jugoosllavi (ICTY)e cila ishte me seli në Hagë të shëtit të Holandës.

Kjo gjykatë ishte themeluar nga Kombet e Bashkuara.

Pas përfundimit të mandatit të kësaj gjykate, rastet e dyshuara për krime lufte në Kosovë u trajtuan edhe përmes EULEX-it.

Janë bërë gati pesë vite që kur është themeluar një Gjykatë Speciale e cila do të merret me rastet e dyshuara për krime lufte. Kjo gjykatë do të përbëhej vetë me prokuror e gjykatës ndërkombëtar.

Vetëm vitin e kaluar më shumë se 200 ish- ushtar të UÇK-së kishin udhëtuar drejtë Hagës për tu intervistuar nga prokurorë ndërkombëtar të Dhomave të Specializuara.

Deri më tani ende nuk është bërë zyrtare nëse ka ndonjë aktakuzë në lidhje me personat e intervistuar.

Kush janë tre dëshmitarët e vdekur?

Një muaj më parë, një rojtar pylli ishte gjetur i vdekur nga plagët që kishte marrë nga një armë zjarri në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Ditëve të fundit u mësua se i njëjti ishte Nazim Rrustemi, dhe disa muaj më parë ishte intervistuar nga Dhomat e Specializuara. Meqë, Rrustemi nuk kishte pranuar të shkonte të dëshmonte në Hagë, ani pse në cilësinë e dëshmitarit, ai kishte pranuar të intervistohet vetëm në Prishtinë.

Familjarët e Rrustemit kanë ngritur dyshimet e tyre se vrasja e Rrustemi është bërë për shkak të intervistimit të tij për Dhomat e Specializuara.

Dyshime të forta se një dëshmitar i Gjykatës Speciale është vrarë

Një dëshmitar tjetër është edhe Agim Zogaj. I njohur si Dëshmitari X në rastin e mirë njohur “Kleçka” ende nuk dihet saktësisht si kishte vdekur apo kush qëndroi prapa vdekjes së tij.

Zogaj ishte gjetur i varur në një park në Gjermani. Në vitin 2011, familja e Agim Zogajt, dëshmitarit të dikurshëm kryesor në rastin Kleçka për të cilin pandehen dhjetë të dyshuar për krime lufte përfshirë edhe ish-komandant Çelikun, kishin thënë se do të tregonin hallin që kishte biri i tyre para vdekjes.

Ai kishte lënë një testament ndërsa familja kishte akuzuar misionin europian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë-EULEX, se kishin dështuar që të mbronin Agim Zogajn, edhe pse këtë trajtim e fitoi pasi deponoi dëshminë e tij në rastin Kleçka.

Misteri për vdekjen e dëshmitarit X, ishte shtuar edhe më shumë, pasi autoritetet gjermane kishin deklaruar se ata nuk kishin qenë të informuar se Agim Zogaj duhej të ishte nën mbrojtje të përhershme të tyre.

Pa Lamtumirën e Bashkëluftëtarëve

Në rastin Kleçka ishin të akuzuar Fatmir Limaj, Naser Krasniqi, Naser Shala, Nexhmi Krasniqi, Arben Krasniqi, Sabit Shala, Refki Mazreku, Behlul Limaj, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj ishin akuzuar për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë. Që të gjithë janë shpallur të pafajshëm

Një tjetër dëshmitar i rëndësishëm po kësaj radhe në procesin kundër tani Kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinajt ishte edhe Kujtim Berisha.

10 vite më parë, autoritetet malazeze kishin njoftuar se një person kishte vdekur pas një aksidenti të trafikut. Kujtim Berisha nga Deçani i cili pas luftës në Kosovë ishte vendosur në Mal të Zi si refugjat ndërsa aksidenti kishte ndodhur në një lagje rome në Podgoricë.

Berisha konsiderohej një ndër dëshmitarët kryesor në gjyqin për krime lufte kundër Kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili akuzohej atëkohë se kishte troturuar e vrarë dy persona të përkatësisë rome të dyshuar se bashkëpunonin me forcat serbe.

Haradinaj poashtu ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata e Hagës

Deri më tani për të tri këto raste nuk është dhënë diçka zyrtare se ka pasur persona të arrestuar.