Ilustrim

Dyshime të forta se një dëshmitar i Gjykatës Speciale është vrarë

Vrasja e rojtarit të Pyllit Nazmi Rrustemi mund të ketë lidhje me një dëshmi që ai e ka dhënë së fundmi për Gjykatën Speciale.

Burime të KALLXO.com brenda hetuesisë kanë konfirmuar se njëra nga pista e hetimit të vdekjes së 63 vjeçarit është edhe mundësia që ai të jetë dëshmitar.

Të njëjtat burime kanë potencuar se ende nuk ka konfirmim final nëse Rrustemi ishte ose jo dëshmitar pasi prokuroria pritet t’i drejtohet me një letër zyrës së Prokurorit të Specializuar të gjykatës Speciale për të marrë informacione zyrtare.

Rojtari i pyllit është qëlluar për vdekje në rrethana të paqarta mbrëmjen e 18 dhjetorit.

I prezantuar si pjesëtar i ngushtë i familjes, një djalë rreth të 30-tave i ka konfirmuar KALLXO.com se familjari i tij kishte dhënë një deklaratë për hetuesit e Speciales në zyrat e EULEX-it në Prishtinë.

“Po është thirrë por nuk ka pranuar që të shkojë, ai është intervistuar në Prishtinë. Nuk kemi shumë informacione si është intervistuar apo çka është pyetur”, ka thënë familjari duke mos dashur të flas para kamerës për shkak të rastit të ndjeshëm.

Madje familjari pohon se para disa vitesh ia kishin djegur veturën ndërsa nuk ka shumë kohë që një veture tjetër ia kanë thyer dritaren e pasme.

Familjarët nuk kanë dashur të komentojnë rastin pasi që thonë se këto janë punë të organeve të drejtësisë dhe se janë duke pritur nga ana e tyre që të zbardhin rastin.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Prokurorisë Themelore të Prishtinës të dijë nëse kanë pasur informacione më parë se Nazmi Rrustemi është ftuar si dëshmitar nga Dhomat e Specializuara.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë se janë duke u zhvilluar hetimet për të ndriçuar rastin.

“Çdo informatë tjetër mund ta dëmtoj procesin hetimor, prandaj, në këtë fazë nuk mund të japim informata shtesë”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Sqarime janë kërkuar edhe nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Speciale por ende nuk janë pranuar përgjigje.

Nazmi Rrustemi është gjetur i vdekur në afërsi të Liqenit të Badovcit, më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

KALLXO.com pati raportuar se inspektori i pyllit, Nazmi Rrustemi është gjetur i vdekur ndërsa plagët e vdekjes sipas Prokurorisë ishin shkaktuar nga një armë zjarri.

Deri më tani as policia as prokuroria nuk kanë njoftuar për ndonjë person të identifikuar që mund të kishte lidhje me ngjarjen.