Pa Lamtumirën e Bashkëluftëtarëve

Ishte mister sa jetoi sikur kur vdiq. Tani thuhet se la një testament pas vete, përmbajtja e së
cilit, siç paralajmërohet, do të tronditë prapë opinionin publik.

Shumë njerëz e urrenin ‘Dëshmitarin X’, por veshët të gjithë i mbanin kah ai. Kjo atmosferë u përcoll edhe në lamtumirën e fundit për trupin e tij të pajetë.

Babai i tij, Idriz Zogaj, ishte i mërzitur përse pak njerëz i erdhën në ceremoninë mortore, e aq më shumë pse nuk u panë ish-bashkëluftëtarë të tij. Ai dyshon se gjithçka po bëhet me një prapavijë.

“Unë e di vetëm se djali im, ka qenë i pastër. Dhe, tash dikush po mundohet me na nxi jetën me vdekjen e tij”, tha ai të shtunën gjatë varrimit të birit në Prizren.

Familja e Agim Zogajt, dëshmitarit të dikurshëm kryesor në rastin Kleçka për të cilin pandehen dhjetë të dyshuar për krime lufte përfshirë edhe ish-komandant Çelikun, thotë se pas mbarimit të ceremonisë së zisë do të tregojnë hallin që kishte i biri i tyre, para vdekjes.

Vëllai i të ndjerit, Afrimi thotë se e di saktësisht se çka kishte për të thënë Agimi për të kaluarën e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas tij, ky presion është përshkruar në një letër të cilën tani e zotëron policia gjermane.

“Policia në Gjermani e ka këtë letër. Besa e kemi edhe ne si familje e kemi, dhe do ta bëjmë publike”, ka thënë Afrimi gjatë varrimit të vëllait ditë më parë.

Agim Zogaj, i njohur më mirë në opinion si “Dëshmitari X” është gjetur i vdekur të martën e kaluar në Duisburg të Gjermanisë.

Autoritetet atje, pasi bënë autopsinë, sqaruan se i ndjeri ishte varur në një park të qytezës. Por nuk dhanë asnjë detaj për rrethanat në të cilat ai kishte vendosur që t’ia marrë jetën vetes.

Afrim Zogaj thotë se i ndjeri ishte strehuar në shtëpinë e tij prej muajit maj të këtij viti dhe se Agimi kishte shkuar i pambrojtur tek ai në Gjermani.

Edhe ai, si anëtarët e tjerë të familjes, akuzon misionin europian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë-EULEX, se ka dështuar në mbrojtjen e Agimit, edhe pse këtë trajtim e fitoi pasi deponoi dëshminë e tij në rastin Kleçka.

Misteri për vdekjen e dëshmitarit X, shtohet edhe më shumë, pasi autoritetet gjermane deklaruan se ata nuk kanë qenë të informuar se Agim Zogaj duhej të ishte nën mbrojtje të përhershme të tyre.

Në fshatin Nashec të Prizrenit, banorët tregojnë se si kureshtarët kanë pyetur shpesh për vendndodhjen e Agimit. Në një vend të vogël si Kosova, ndonëse ‘Dëshmitari X’ do të duhej të kishte qenë i mbrojtur, emri i tij ishte pothuajse sekret publik.

Vdekja e tij ishte një ngjarje tragjike për vendin, që mund të dekurajojë dëshmitarët tjerë në shumë lëndë gjyqësore – një sektor edhe ashtu i dobët dhe që do të ndikojë në procesin gjyqësor edhe për palën e akuzuar po sidomos për palën akuzuese.