Takimi mes ministres Donika Gërvalla dhe kryeministrit të Andorrës, Xavier Espot Zamora, Foto: Donika Gërvalla/Facebook

Ministrja Donika Gërvalla takoi kryeministrin e Andorrës, e fton ta vizitojë Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar me kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora.

Sipas ministres Gërvalla, gjatë këtij takimi ka ndodhur rikonfirmimi i marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësore, bilaterale, mes Kosovës dhe Principatës së Andorrës.

“Kryeministrin e Andorrës e njoftova rreth progresit në ekonomi, sundim të ligjit dhe rritjen e standarteve demokratike në vend. Poashtu e falënderova për mbështetjen e dhënë  Kosovës për anëtarësimin e saj në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe kërkova vazhdimin e mbështetjes edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, për të cilin mora mbështetje të fuqishme” – ka shkruar ministrja Gërvalla në profilin e saj në Facebook.

Gërvalla e ka ftuar kryeministrin Zamora ta vizitojë Kosovën në 25-vjetorin e çlirimit.