Nënshkrimi i memorandumit MKRS- UP ‘Hasan Prishtina’. Foto: MKRS

Ministria e Kulturës dhe Universiteti 'Hasan Prishtina' nënshkruan memorandum për bursa studimore për trashëgiminë kulturore

Studentët e Universitetit të Prishtinës do të kenë mundësinë të marrin bursa për specializim në fushën e trashëgimisë kulturore. Për këtë qëllim u nënshkrua sot një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ky memorandum u mundëson studentëve të UP-së sigurimin e bursave me qëllim të aftësimit dhe avancimit në programet e specializuara për trashëgimi kulturore.

MKRS përmes një komunikate për media, njofton se memorandumi mundëson studentëve të UP-së, “Hasan Prishtina”, bursa për studime në fushën e trashëgimisë kulturore në universitetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

“Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe rektori Marjan Dema, nënshkruan memorandumin bashkëpunimit i cili konkretisht parasheh bursa për studentët e shkencave arkeologjike – deri në katër bursa; antropologji fizike dhe/apo biologjike – deri në dy bursa; antropologji kulturore apo/dhe linguistike – një bursë; arkeologji klasike ose Histori e Artit-deri në një bursë; arkitekturë/konservim – restaurim deri në një burse”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Procesi i aplikimit dhe pranimit do të zhvillohet në dy faza, atë të selektimit të kandidatëve dhe fazën e intervistave.

Me këtë rast, sipas komunikatës, ministrja Dumoshi ka potencuar se MKRS është do të mbështesë studentët që do të përzgjidhen nga UP-ja me bursa për studime në universitetet e njohura evropiane.

“Ne kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve njerëzore andaj këto marrëveshje kanë një domethënie dhe më këtë rast i ftoj të gjithë studentët t’i shohin këto fusha të rëndësishme ku hulumtohet e studiohet trashëgimia kulturore e Kosovës. Ne me shumë përkushtim e kemi ndarë buxhetin dhe do t’i financojmë këta studentë”, k thënë ministrja.

Po sipas komunikatës Rektori i UP-së, Marjan Dema, ka bërë të ditur se në UP studiojnë 42 mijë studentë.

“Me anë të kësaj marrëveshje do të përfitojnë shumë studiues e hulumtues, shumë studentë dhe ky do të jetë një stimulim dhe do të jetë një entuziazëm më i madh për të studiuar e hulumtuar në tri fusha që fatkeqësisht nuk janë prekur përpara, në arkitekturë, antropologji dhe arkeologji. Dhe sigurisht që ato bursa që do të ndahen do të japin një mundësi më të madhe që të kemi ekspert në këto fusha”, citon komunikata të ketë thënë rektori Dema.