Ministria e Infrastrukturës

Ministria e Infrastrukturës anuloi konkursin për zyrtarë administrativ pa dhënë arsyetime në vendim

Ministria e Infrastrukturës me datë 25 qershor të këtij viti kishte shpallur një konkurs për zyrtar administrativ, në Departamentin e patent shoferit.

Ma datë 9 korrik është mbyllur konkursi.

Në këtë konkurs janë zgjedhur dy fitues, Blendiona Gegollaj me 877.5 pikë dhe Fjolla Idrizi me 675 pikë.

 

Por më pas Ministria e ka marrë një vendim të pakuptimtë.

Në një vendim që nuk përmban as datë, Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar për anulimin e konkursit, pa dhënë kurrfarë arsyetimi. Në vendim, Ministria ka kërkuar ‘mirëkuptim’ nga kandidatët që kanë qenë fitues të konkursit.

“Anulohet konkursi i jashtëm për pozitën ‘Zyrtar/e Administrativ/e’ i shpallur më 25.06 deri më 09.07.2019”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.

 

Fjolla Idrizi, njëra nga dy kandidatet fituese të konkursit, në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar detaje për konkursin në fjalë.

“Me datë 16 korrik më ka ardhë njoftimi nga Ministria, ku më kanë treguar se jam pranuar në listën e ngushtë dhe më është caktuar intervista me datë 22 korrik. Në testim kam hyrë dhe jam renditur e dyta, me 675 pikë”, ka thënë Idrizi.

 

 

Ajo tutje tregon se më pas i ka ardhur njoftimi nga Ministria se është zgjedhur fituese e konkursit.

“Me 23 korrik kam pranuar rezultatin përfundimtar për përzgjedhjen e kandidatit të suksesshëm, në të njejtën ditë jam përgjigjur në emailin zyrtar të tyre se e kam pranuar pozitën në të cilën jam përzgjedhur. Nga Divizioni i personalit kam marrë informacion se nuk ka patur as një ankesë në përzgjedhjen e kandidatëve për këto dy pozita”, ka thënë Idrizi në përgjigjen e saj.

Idrizi gjithashtu ka thënë se është pritur afati prej 30 ditëve sipas këshillës juridike për ankesa dhe pasi ka pritur njoftimin për ta nënshkruar kontratën e ka kuptuar përmes faqes zyrtare të Ministrisë se është anuluar konkursi.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, Ministria e Infrastrukturës thotë se hyrja në fuqi e Ligjit të ri, ka bërë që të anulohet konkursi.

“Hyrja në fuqi e Ligjit të ri ka krijuar situatën e pezullimit të konkursit për pozitat në fjalë. Konkurset e anuluara do të rishpallen për të dy pozitat. Këto konkurse do të procedohen së shpejti dhe do të iu jepet mundësi e gjerë e kandidatëve për të aplikuar për këto pozita”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë.

Ndërsa Ligji për Zyrtarë Publik në Kosovë ka hyrë në fuqi me 11 shtator të vitit 2019, kurse rezulutati përfundimtar i konkursit është njoftuar me 23 korrik 2019.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës, por deri në momentin e publikimit të artikullit, ministria nuk ka kthyer përgjigje.