
Ministria e Arsimit diskuton datat e fillimit të vitit të ri shkollor
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka propozuar që me datën 14 shtator të fillojnë mësimin klasat 0, 1, 2, 3, 6, 10 në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës. Ndërsa, klasat 4 dhe 5 të fillojnë mësimin tërësisht në shkollë ose me mësim të kombinuar, varësisht nga kapaciteti i shkollës, vlerësuar nga DKA dhe institucionet arsimore.
Kurse, në fazën e dytë, më 21 shtator, të fillojë mësimi me mësim të kombinuar për klasat 7, 8, 9, dhe 11, 12, duke vijuar mësimin dy ditë në shkollë dhe tri ditë online.
Këto propozime për fillimin e vitit të ri shkollor u propozuan sot në një takim virtual të MASh-it me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, udhëheqësit e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe të IKShPK-së.
Sipas njoftimit të MASh-it, vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor do të merret në bashkëpunim të plotë me MSh-në dhe IKShPK-në, DKA-të, Këshillin e Prindërve dhe SBAShK-un, në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike në Kosovë.
“Vlerësimi i situatës epidemiologjike do të bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe në këtë mënyrë do vlerësohen me kujdes rrethanat dhe mundësitë e vazhdimit të mësimit sipas skenarëve të paraparë” thuhet në njoftim.
Javën e kaluar ishte marrë vendim që fillimi i vitit shkollor në Kosovë të shtyhet edhe për dy javë, deri më 14 shtator, për t’u përgatitur më mirë rreth menaxhimit të pandemisë në shkolla.