Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Vitia flet për gjendjen e pacientëve të helmuar në Malishevë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar lidhur me helmimin e disa qytetarëve në Malishevë.

Ai ka thënë se mbrëmë ka vizituar të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK.

“Mbrëmë, menjëherë pasi u njoftuam për rastin e helmimit të 68 qytetarëve në Komunën e Malishevës bashkë me drejtorin e SHSKUK-së i vizituam të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK. Në QKUK të hospitalizuar janë 11 qytetarë dhe 9 qytetarë të tjerë janë në Spitalin e përgjithshëm të Prizrenit”- ka thënë ai.

Sipas tij, gjendja e të gjithë të hospitalizuarave pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile.

Ndërsa, ka shtuar se Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit.

Më herët, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha, ka thënë se janë duke e monitoruar nga afër gjendjen e pacientëve që u helmuan mbrëmjen e kaluar me ushqim në një lokal.

Sipas tij, gjendja e pacientëve është nën kontroll ndërsa shtoi se edhe gjatë ditës së sotme ka pasur paraqitje të rasteve të reja për shkak të helmimit.

“Askush nuk mundet të na shpërqëndroj nga menaxhimi efikas i kësaj gjendje të krijuar, madje as zërat që vijnë nga postimet që lansohen e që janë të paartikuliara. Kontrolli sanitar i restauranteve dhe lokaleve të ngjashme është detyrë dhe përgjegjësi e AVUK”- ka shkruar Hajdini në Facebook.

Drejtori i Shëndetësisë në Malishevë jep detaje pas helimimit të dhjetëra qytetarëve në një lokal