Ministri Sveçla për Bajram veçon urimin për policët e gazetarë

Dy kategori u ndanë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla me rastin e urimit për festën e Kurban Bajramit, policët e gazetarët.

Sveçla veçoi këto dy kategori, duke thënë se uron policët e Kosovës, e sidomos ata që janë në shërbim, e po ashtu edhe gazetarët që janë në terren.

“Dëshiroj të veçoj në këtë urim policët e Kosovës, e sidomos ata që janë në shërbim. Puna e institucioneve të rendit mundëson që qytetarët tanë, pa dallim feje apo etnie, të jetojnë, të punojnë e të festojnë të qetë” – ka thënë Sveçla.

Tutje ai ka shtuar për gazetarët se është vërtetuar kohëve të fundit se raportimet objektive nga ta, ndihmojnë në mbarëvajtjen e qetësisë publike dhe në zbatimin e ligjit.

Sveçla në urimin e tij edhe për qytetarët e tjerë të besimit mysliman, uroi qe të jenë të gëzuar sot bashkë me familjarët dhe të afërmit e tyre, të kenë shëndet, fat dhe lumturi.