Pandeli Majko | Foto: Facebook

Ministri shqiptar i reagon Vuçiqit për hartën e Kosovës me flamurin e Serbisë

Ministri për Diasporën në Qeverinë e Shqipërisë, Pandeli Majko ka reaguar pasi presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçq e ka publikuar një fotografi me hartën e Kosovës dhe flamurin serb mbi të.

Majko ka shkruar në Facebook se me publikimin e fotografisë së Republikës së Kosovës me flamurin serb, presidenti serb Vuçiq, tregon se i pëlqen papajtueshmëria.

Sipas ministrit shqiptar, ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd.

“Republika e Serbisë nënshkroi një deklaratë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë për të respektuar procesin e paqes rajonale. Diplomacia e fotove në instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

Majko ka shtuar se sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga Instagrami.

“Kjo është arsye e mjaftueshme që presidenti serb ti ofrojë shtetasve të vet, një të ardhme të cilën mund ta përballojnë. Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit europian nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në instagram!”, thuhet në reagimin e tij.

Në lidhje me publikimin e presidentin serb, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës, Zyrën e Presidentit të Kosovës dhe në Bashkimin Evropian për të marr reagime, dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Foto: Aleksandar Vuçiq/ Instagram