Ministri pa përgjigje konkrete rreth punëtores së Ministrisë së Drejtësisë e cila nga vetizolimi shkoi në punëtori në Durrës

KALLXO.com para pak ditëve ka raportuar se me 12 korrik një punonjës i Avokaturës Shtetërore ishte konfirmuar i infektuar me COVID- 19 ndërsa nga ajo ditë Ministria e Drejtësisë i ka njoftuar gjykatat që t’i shtyjnë seancat gjyqësore për shkak se punonjësit do jenë në vetizolim dhe nuk mund të marrin pjesë në gjykime.

Mirëpo, KALLXO.com kishte zbuluar se ky urdhër nuk është zbatuar kur ka ardhur koha që zyrtarë nga Avokatura Shtetërore të shkojnë në Shqipëri për të marrë pjesë në një grup punues.

Para disa ditësh është themeluar grupi për finalizimin e Ligjit të Avokaturës Shtetërore ndërsa gjatë ditës së enjte antarët e grupit ku bën pjesë edhe një avokate e Avokaturës Shtetërore kanë udhëtuar për në Shqipëri për të marrë pjesë në një punëtori që do zgjasë deri të dielën.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka kërkuar një përgjigje nga ministri i drejtësisë, Selim Selimi se çfarë masa janë ndërmarrë për grupin punues në të cilin ka qenë edhe avokatja e cila duhej të ishte në vetizolim, por i njëjti nuk ka kthyer një përgjigje konkrete në lidhje me këtë rast.

“Mendoj që për këtë pyetje para pak ditëve e kemi dhënë një përgjigje zyrtare, i qëndroj asaj përgjigje, ky grup punës ka pas për detyrë që të punoj mbi ligjin e avokatisë dhe avokati i përgjithshëm shtetëror gjatë kohës sa ka dal një rast me COVID19 ka qenë në pushim me tu kthyer prej pushimit, do të thotë ka ndërprerë pushimet e veta dhe me tu kthyer unë kam kërkuar që menjëherë të vetizolohen avokatët e shtetit dhe gjithashtu të dërgohet qarkore në KGJK për shtyrje të seancave, sa i përket përbërjes së grupit pra aty e kemi dhënë përgjigjen zyrtare dhe kemi marr të gjitha masat e qeverisë për vetizolim”, ka thënë Selimi.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Zyrës së Kabinetit të Ministrit të Drejtësisë Selim Selimi edhe përmes emailit, pak ditë pasi ka ndodhur rasti, por në asnjërën përgjigje nuk janë bërë të ditura masat e ndërmarra ndaj këtij grupi punues.

Në një përgjigje të zyrës së ministrit Selimi për KALLXO.com, konfirmohet se Avokatura Shtetërore e Kosovës ka pezulluar punën për shkak se është konfirmuar një rast me COVID-19 brenda kësaj zyreje.

“Ministri është i njoftuar për punën e grupit punues për Ligjin. Në bazë të informatave që i kemi Avokati i Përgjithshëm gjatë kohës së një rasti të raportuar ka pezulluar punën deri në stabilizim të gjendjes në Avokaturë Shtetërore. Puna për ligjet që i kemi në plan legjislativ duhet të vazhdojë por njëkohësisht duke respektuar masat e MSh”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Ministrit Selimi.

Dyshime se punonjësja e Ministrisë së Drejtësisë nga vetizolimi po merr pjesë në punëtori në Durrës