Dyshime se punonjësja e Ministrisë së Drejtësisë nga vetizolimi po merr pjesë në punëtori në Durrës

Me 12 korrik një punonjës i Avokaturës Shtetërore ishte konfirmuar i infektuar me COVID- 19 ndërsa nga ajo ditë Ministria e Drejtësisë i ka njoftuar gjykatat që t’i shtyjnë seancat gjyqësore për shkak se punonjësit do jenë në vetizolim dhe nuk mund të marrin pjesë në gjykime.

Mirëpo, KALLXO.com ka zbuluar se ky urdhër nuk është zbatuar kur ka ardhur koha që zyrtarë nga Avokatura Shetërore të shkojnë në Shqipëri për të marrë pjesë në një grup punues.

Para disa ditësh është themeluar grupi për finalizimin e Ligjit të Avokaturës Shtetërore ndërsa mbrëmë (e enjte) antarët e grupit ku bën pjesë edhe një avokate e Avokaturës Shtetërore kanë udhëtuar për në Shqipëri për të marrë pjesë në një punëtori që do zgjasë deri të dielën.

Delegacioni është akomoduar në një hotel ndërsa zyrtarisht nuk ka një sqarim pse zyrtarja që do duhej të ishte në izolim ka udhëtuar për në Shqipëri.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Zyrës së Kabinetit të Ministrit të Drejtësisë Selim Selimi.

Në një përgjigje të zyrës së ministrit Selimi për KALLXO.com, konfirmohet se Avokatura Shtetërore e Kosovës ka pezulluar punën për shkak se është konfirmuar një rast me COVID-19 brenda kësaj zyreje.

“Ministri është i njoftuar për punën e grupit punues për Ligjin. Në bazë të informatave që i kemi Avokati i Përgjithshëm gjatë kohës së një rasti të raportuar ka pezulluar punën deri në stabilizim të gjendjes në Avokaturë Shtetërore. Puna për ligjet që i kemi në plan legjislativ duhet të vazhdojë por njëkohësisht duke respektuar masat e MSh”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Ministrit Selimi.

KALLXO.com mëson se Avokati i Përgjithshëm i Avokaturës Shtetërore pas konfirmimit të rastit të parë me COVID-19, ka dërguar në vetizolim të gjithë personelin e avokaturës me vendim të ministrit Selimi ndërsa është kërkuar edhe që seancat të shtyhen për shkak të të njëjtit rast.

Ministria e Drejtësisë, më saktësisht Sekretari i kësaj ministrie Qemajl Marmullakaj ka nënshkruar një vendim ku është emëruar një grup i brendshëm punues për finalizimin e projektit për Ligjin e Avokaturës

KALLXO.com mëson se në këtë takim pune të grupit punues i cili gjendet tani në Shqipëri është edhe Sekretari i Përgjithshëm i MD-së, Qemajl Marmullakaj. Ky i fundit në një kontakt me telefon nuk ka pranuar të flas për këtë të gjetur duke u arsyetuar se përgjigjen do e ofrojë me shkrim.

Nga KALLXO.com është kontaktuar edhe Avokati i Përgjithshëm i Avokaturës Shtetërore, Sami Istrefi por i njëjti ka qenë i paqasshëm në telefon.

Se aka pasur të infektuar me COVID-19 brenda Avokaturës Shtetërore të Kosovës, KALLXO.com e ka konfimruar  edhe me njërin nga avokatët që ka rezultuar pozitiv. Ai ka thënë se që nga e diela ka marrë rezutatin pozitiv me COVID-19.

Sipas procedurave dhe rekomandimeve të IKSHPK-së, nëse një person rezulton pozitiv vetizolohet ndërsa merr mjekim në bazë të gjendjes që krijohet te pacienti.

Kontaktet e tij poashtu rekomandohet të vetëizolohen të paktën për 14 ditë.

Rekomandimet e insitutit tregojnë që personat e kontaktit edhe në rast se në testime kanë rezultuar negative ata rekomandohen të vetizolohen për shtatë ditë.

Në anën tjetër sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse zyrtarja mund të dënohet deri në 1 mijë euro gjobë.

“Personi fizik dënohet me gjobë prej 250€ deri 1.000€, për kundërvajtje: nëse aplikon për punësim, përkatësisht vazhdon të punojë në mënyrë aktive ndonëse është informuar se lëngon nga sëmundja e caktuar ngjitëse apo se tajon shkaktarin e sëmundjes ngjitëse; ose në qoftë se nuk i përmbahet kontrolleve të obliguara shëndetësore për personat që kryejnë veprimtarin e caktuar sipas neneve 24 deri 27, të këtij ligji;”, thuhet në Ligj.