
Ministri Mustafa priti një delegacion nga Banka Botërore
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka pritur sot në takim një delegacion të Bankës Botërore, të kryesuar nga menaxheri i Zyrës së BB-së në Kosovë, Marco Mantovanelli.
Sipas një komunikate të MBPZhR, ata kanë biseduar për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në Kosovë, si dhe për format e bashkëpunimit të mëtejmë në këtë sektor.
Mustafa e ka njoftuar delegacionin e Bankës Botërore për objektivat dhe prioritetet e ministrisë për këtë vit, të cilat theksoi se kanë për qëllim fuqizimin e mëtejmë të sektorit të bujqësisë në vend.
Me këtë rast, ministri ka shprehur gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit me BB-në për realizmin e projekteve konkrete në bujqësi dhe njëkohësisht ka falënderuar ata për mbështetjen që kanë dhënë deri më tash në sektorin e bujqësisë
Nga ana tjetër thuhet se, menaxheri i BB-së, Marco Mantovanelli, vlerësoi zhvillimet e deritashme në avancimin e sektorit të bujqësisë në vend dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Bankës Botërore për mbështetjen e mëtejmë të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Kosovë.