Kusari- Lila: KELKOS ka bërë shkelje të vazhdueshme, leja ujore e kundërligjshme

Deputetja nga radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila ka thënë se ka pasur shkelje të vazhdueshme nga kompania KELKOS, para se asaj t`i jepet leja për 40 vjet nga ZRrE-ja.

“KELKOS i ka bërë ndërtimin e dy hidrocentraleve gjatë vitit 2015, ka filluar operimin e tyre pa licencë. Furnizimi direkt dhe i jashtëligjshëm i manastiri të Deçanit për vitin 2015 dhe 2016, licenicimet një vjeçare nga ZRrE-ja”, tha mes tjerash ajo.

Deputetja shtoi se leja ujore nga ana e Ministrisë ndaj KELKOS-it është dhënë në kundërshtim me Ligjin për ujërat.

Kusari- Lila shtoi se me licencën për 40 vjet dhënë nga ZRrE-ja për KELKOS-in ka cenuar Ligjin për rregullatorin e energjisë.

“Më 12 nëntor 2020 a është rastësi që të njëjtën ditë kur KELKOS-it i lëshohet leja nga ZRrE-ja, ndërsa gjashtë ditë më parë kishte marr edhe lejet ujore nga ministri, në të njëjtën ditë arrihet marrëveshja në kishën ortodokse të Deçanit për rrugën e cila dërgon më hidrocentrale. As edhe një informacion zyrtar nuk ka dalë nga marrëveshja e arritur në Manastirin e Deçanit”, theksoi ajo.

Deputetja nga LVV-ja tha se e kanë një rezolutë për këtë çështje që do të donin ta harmonizonin.

Kuvendi i Kosovës ka nisur interpelancën me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.

Kërkesa për interpelancë është bërë sipas kërkesës së deputetes nga radhët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, e nënshkruar edhe nga nëntë deputetë tjerë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.