FOTO: Ministria e Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së pritën në takim komandantin e NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë pritur sot në takim admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të shoqëruar nga komandanti në largim i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.

FOTO: Ministria e Mbrojtjes.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes, në takim u bisedua për çështjen e sigurisë në vend, ku ministri Maqedonci dhe gjeneral Jashari shprehën mirënjohje të thellë për punën, përkushtimin, rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është me interes për të gjithë.

“Në veçanti, ata shprehën falënderim për mbështetjen e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, pas agresionit dhe sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator”-thuhet në njoftim.

FOTO: Ministria e Mbrojtjes

Sipas njoftimit, ministri Maqedonci theksoi gjithashtu përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe dhe stabilitet si dhe vendosmërinë e palëkundur të Kosovës në rrugën euroatlantike.

“Gjithashtu, në këtë takim u rikonfirmua gatishmëria për thellim të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Ministrisë së Mbrojtjes e FSK-së me KFOR-in, në shërbim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të vendit tonë”-është thënë tutje.