Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri i Drejtësisë: Nuk janë konsultuar paraprakisht me mua për shfuqizimin e Task-Forcës anti-korrupsion

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se askush nuk është konsultuar me të paraprakisht për shfuqizimin e Task-Forcës anti-korrupsion.

“Edhe pse Ministria e Drejtësisë nuk ka pasur rol aktiv, ka qenë obligim i imi që ta ngris zërin kundër shfuqizimeve të tilla të bëra pa analizë”, tha Selimi në intervistë për KALLXO.com.

Selimi tha se propozimin për shuarjen e Task-Forcës e ka bërë Zyra e Kryeministrit dhe se ajo hyn në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Shumica e personave që kanë punuar në Task Forcë kanë qenë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ka pasur persona nga EULEX-i, por jo nga Ministria e Drejtësisë”, shtoi ai.

Ministri tha se ka votuar kundër shuarjes së kësaj Task-Force për shkak se shuarja e institucioneve nuk bëhet pa një analizë parapake.

“E di që në Task-Forcë ka pasur shumë pikëpyetje por si do që të jetë ne nuk kemi dalë mirë me atë vendim të menjëhershëm të shuarjes së një Task-Force e cila është e thirrur të hetojë veprat penale në lidhje me korrupsionin”, tha ai.

Sipas tij, së pari është dashur t’i bëhet një analizë se çka duhet të ndryshohet sesa të merret vendimi për shuarjen.

 

Selimi tha se  e di që Task-Forca është marrë me raste sensitive të korrupsionit të nivelit të lartë.

Në Kuvend është mbajtur interpelanca me Avdullah Hoti, sipas kërkesës së  deputetëve të grupit paralamentar të LVV-së, në lidhje me shfuqizimin e Task-Forcës anti-korrupsion në Policinë e Kosovës por nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për rikthimin e saj.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e 19 tetorit kishte shuar  Departamentin Special Anti-Korrupsion.

Atëherë ministri Selimi kishte kërkuar që kabineti qeveritar të ‘mos ngutet’ me marrjen e këtij vendimi por të bëjë një rishikim të punës së deritanishme të Task Forcës.

Departamenti Special Anti-Korrupsion me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë ishte themeluar më 26 shkurt të vitit 2010 në kohën sa ishte kryeministër Hashim Thaçi.

Ky departament përbëhej nga tetë prokurorë, pesë vendorë, ndërsa tre të emëruar nga autoritetet e EULEX-it.