Ministri i Ambientit tregon se cili është plani i tij për deponitë e mbeturinave

Ministri i Infrastrukturës, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, në emisionin ‘Kallxo Përnime’  ka folur në lidhje me planin e tij për menaxhimin e deponive të mbeturinave në Kosovë.

Ai tha se dy deponi urgjente do të ndërtohen në Pejë dhe Prishtinë.

“Plani i aksionit të menaxhimit të mbeturinave bëhet këtë vit. Dy deponi urgjente që janë në Kosovë është deponia e regjionit të  Prishtinës dhe të Pejës. Pra që të dyja janë top-prioritete sa i përket deponive. Problemi ka qenë tek gjetja e lokacionit, investimi është grant. Kjo në Prishtinë duhet të mbyllet, sepse madje qysh tash përbën rrezik. Mënyra se si janë deponu mbeturinat, se si janë shtresu aty, proceset kimike që krijohen, krijojnë rrezik të shpërthimit”, tha Aliu.

Ndërsa për deponi të mbeturinave inerte, Aliu tha se është më sfiduese, pasi duhet të gjendet lokacioni në ndonjë komunë, që sipas tij, është e vështirë.

“Ndërsa për mbeturinat inerte, duhet të bisedojmë me komunat, duhet të shikojmë, madje ndoshta edhe të negociohet për këtë punë”, deklaroi ministri Aliu.