Mësimi online

Mësimi nga distanca, sfidat e mësimdhënësve dhe nxënësve të komuniteteve

Që nga paraqitja e rasteve të para të coronavirusit në Kosovë, një prej komuniteteve që ka dhënë shumë kontribut në menaxhimin e kësaj situate ishte ai i mësimdhënësve.

Herë në shkollë e më shumë online, mësimdhënësit është dashur të mbajnë mësim dhe t’u ndihmojnë nxënësve në mënyrë që të mos mbesin prapa me mësime.

Në një rrëfim për KALLXO.com, dy mësuese kanë treguar për sfidat me të cilat janë përballur gjatë kohës së pandemisë.

Ato thonë se problem më i madh ka qenë se shumë nxënësve u kanë munguar pajisjet për të ndjekur mësimin online.

Indra Jashari, mësuese e komunitetit rom në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj, ka treguar se ajo është detyruar t’i mbledhë nga 3-4 nxënës në një shtëpi, të cilët kanë shfrytëzuar të njëjtin telefon apo kompjuter në mënyrë që të mos mbesin mbrapa me mësime.

Indra Jashari – Foto: KALLXO.com

“Komuniteti rom, ashkali, egjiptian nuk kanë pasë pajisje, laptop, telefon që t’i qasen mësimit online. Kemi biseduar me prindërit e tjerë, që t’i bashkojmë fëmijët në një shtëpi dhe ta mbajmë mësimin bashkë”, rrëfen mësuesja Jashari.

“Unë si mësuese nuk jam ndje mirë kur kam i kam pa vështirësitë e fëmijëve të komuniteteve. Pse gjithmonë fëmijët e komuniteteve po mbesin gjithmonë mbrapa si në mësim online, si në mësim të rregullt”, thotë mësuesja Jashari.

Ivana Mishkoviq, mësuese e gjuhës serbe në shkollën ekonomike në Llapnasellë të Graçanicës rrëfen se sa të vështirë e ka pasur në fillim të pandemisë për t’u treguar nxënësve se nuk do të takohen për një kohë në klasë dhe se mësimet do t’i mbajnë online.

Ivana Mishkoviq – Foto: KALLXO.com

Edhe mësuesja Mishkoviq tregon se nxënësit e komunitetit rom në Graçanicë e kanë pasur më të vështirë kyçjen në mësim online për shkak të mungesës së pajisjeve.

Të dy mësueset kanë treguar edhe momente interesante që u kanë ndodhur gjatë kohës së mësimit online, kur prindërit e fëmijëve janë kyçur në mësim apo raste kur fëmijët e kanë lënë laptopin e hapur dhe s’kanë qenë fare prezent.

Kjo seri e artikujve për BIRN mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)